Rreth 1 500 aplikues janë shpallur fitues në kuadër të programit të Bashkisë së Tiranës për subvencionimin e interesave të kredive për blerjen e banesave. Lista e përfituesve është dërguar për miratim në mbledhjen e tetorit të Këshillit Bashkiak.
Programi synon të mbështesë individët dhe familjet që plotësojnë kriteret për përfitimin e një kredie të butë për blerjen e një apartamenti në Tiranë, duke subvencionuar interesat e kredisë nga fondet e parashikuara për këtë skemë.
Sipas kushteve të programit, përfituesit mund të marrin kredi me normë interesi 3%.
Vlera e kredisë përcaktohet në bazë të numrit të anëtarëve të familjes dhe kritereve të përcaktuara për këtë skemë mbështetjeje.
Pas miratimit të listës nga Këshilli Bashkiak, aplikuesit e shpallur fitues duhet të vijojnë procedurat pranë bankave të nivelit të dytë që kanë marrëveshje me Bashkinë e Tiranës, për të përfituar kredinë për blerjen e banesës.
Programi i subvencionimit të interesave të kredive është një nga skemat e strehimit social që synon të lehtësojë kostot e blerjes së një banese për familjet që përmbushin kushtet e përcaktuara.


