Në podcastin e kësaj të hëne, “Pjaca” në Media Radar dhe Pjaca Media, nën drejtimin e gazetarit Alfred Peza, ishte i ftuar Avenir Kika, kreu i Shoqatës së Ndërtuesve të Tiranës. Gjatë bisedës, Kika foli për kostot e ndërtimit, peshën që zë toka në një projekt dhe elementet që ndikojnë në çmimin përfundimtar të apartamenteve.
I pyetur nga Alfred Peza se sa kushton ndërtimi i një metri katror, Kika u shpreh se kostoja nuk mund të jetë nën 1000 euro, pavarësisht çmimeve të materialeve.
Avenir Kika: “Sot ne flasim në çdo cep, sado të lirë t’i gjesh materialet, pa 1000 euro metri katror kosto nuk ka.”
Sipas tij, toka përbën një pjesë të konsiderueshme të kostos së një projekti ndërtimi.
Avenir Kika: “Toka te kostoja është rreth 40–50% e kostos së ndërtimit.”
Gjatë diskutimit për çmimin e apartamenteve dhe fitimin e ndërtuesve, Kika shpjegoi se një pjesë e kostos përfshin edhe taksat dhe shpenzimet e tjera.
Avenir Kika: “Kostoja është 60–70%. 30% që ngelet nuk e kalon 10% fitimi i ndërtuesit, se janë taksa, janë shpenzime të tjera.”
Kika u ndal edhe te cilësia e ndërtimeve, duke theksuar se ajo nuk lidhet vetëm me përfundimet e brendshme të apartamentit, por edhe me pajisjet dhe sistemet që garantojnë funksionalitetin e tij.
Avenir Kika: “Në cilësinë, sa më cilësi të bëjë, aq më shumë rritet çmimi, aq më shumë rritet fitimi.”
Ai sqaroi se cilësia përfshin disa elemente të rëndësishme të objektit.
Avenir Kika: “Kur them cilësi, nuk ka të bëjë vetëm me suvatimin dhe patinimin. Ka të bëjë me ashensorët, ka të bëjë me furnizimin me ujë, ka të bëjë me elementët e ngrohjes dhe ftohjes.”
Një tjetër faktor që, sipas Kikës, ndikon ndjeshëm në vlerën e pronës është vendndodhja. Ai theksoi se zgjedhja e zonës mund të ndikojë drejtpërdrejt në çmimin e një apartamenti.
Në bisedë u trajtua edhe marrëdhënia mes pronarëve të tokës dhe ndërtuesve, ku Kika vuri në dukje rëndësinë e studimit të tregut përpara se të merret një vendim për shitjen e pronës apo zhvillimin e saj.


