Indrit Dokle, dikur një prej emrave kryesorë të Bandës së Durrësit dhe rival i Lulzim Berishës, është rikthyer në qendër të hetimeve të drejtësisë për një seri ngjarjesh të rënda kriminale.
Dokle kishte marrë fillimisht një dënim me burgim të përjetshëm për krime të rënda, mes tyre vrasje të kundërshtarëve. Por vite më vonë, dënimi i tij u ndryshua në 25 vite burg nga gjyqtarja Enkelejda Hoxha, e dënuar më pas nga drejtësia për çështje të tjera. Ky vendim i hapi rrugën edhe lirimit të tij me kusht nga Gjykata e Krujës në vitin 2020.
Pas daljes nga burgu, Dokle ishte i detyruar të paraqitej pranë Shërbimit të Provës. Megjithatë, emri i tij nuk do të qëndronte gjatë larg kronikës së zezë.
Një prej përplasjeve më të forta ku ai u përmend ishte ajo me Ervis Martinajn, një nga personazhet më të njohur të botës së krimit dhe lojërave të fatit në Shqipëri.
Konflikti mes tyre u thellua në një periudhë kur Martinaj kishte hapur disa fronte përplasjeje edhe me grupe të tjera kriminale. Një nga ngjarjet që tensionoi më tej situatën ishte vrasja e ish-policit Xhelal Reçi, i cili ishte xhaxhai i bashkëshortes së Indrit Dokles.
Një tjetër element që hodhi dritë mbi konfliktin Dokle-Martinaj erdhi nga dëshmitë e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani.
Sipas Dumanit, Ervis Martinaj i kishte ofruar 500 mijë euro për të vrarë Indrit Doklen.
Për këtë çështje, ndaj Martinajt u ngritën akuza për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes së Dokles, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Të njëjtat akuza u ngritën edhe ndaj Elvin Merlikës, i konsideruar si një prej njerëzve të afërt të Martinajt.
Kur Ervis Martinaj u zhduk pa gjurmë në verën e vitit 2022, emri i Dokles u përmend mes personave që u morën në pyetje për çështjen.
Por hetimet ndaj tij nuk përfunduan këtu.
Indrit Dokle është tashmë zyrtarisht nën akuzë edhe në dosjen e operacionit “Revanshi”.
Një prej akuzave lidhet me dyshimet për sigurimin e kushteve dhe mjeteve për vrasjen e ish-deputetit socialist Arben Ndoka, i cili gjithashtu është person në kërkim. Për këtë episod, Dokle dyshohet se ka bashkëpunuar me Durim Bamin.
Një tjetër pjesë e dosjes lidhet me Tori Xheçukën dhe Erigers Mihasin, të dy të njohur për lidhjet e tyre me grupin e Ervis Martinajt.
Edhe në këtë rast, Dokle akuzohet për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Xheçuka është aktualisht në kërkim, ndërsa Erigers Mihasi u vra në nëntor të vitit 2021 në një atentat në zonën e Unazës së Re në Tiranë, së bashku me Armando Dumanin.
Sipas të dhënave të dala gjatë hetimeve, pas lirimit nga burgu Dokle dyshohet se krijoi lidhje me emra të fuqishëm të botës së krimit në Durrës dhe Fier.
Ka pasur gjithashtu dyshime se për një periudhë ai mund të jetë strehuar në Dubai.
Kështu, vetëm pak vite pas lirimit me kusht nga një dënim që fillimisht ishte burgim i përjetshëm, Indrit Dokle është sërish përballë akuzave të rënda të drejtësisë, këtë herë si një prej emrave të përfshirë në dosjen “Revanshi” dhe në hetimet për përplasjet mes disa prej grupeve kriminale më të njohura në vend.


