Komisioni Europian reagoi të premten lidhur me çështjen e Vlora Hysenit, drejtoreshës së shkarkuar të SHISH e cila është vendosur në arrest në shtëpi nën akuzën e përkrahjes së autorit të krimit dhe zbulimit të akteve apo të dhënave sekrete.
Në konferencën e rregullt për shtyp të së premtes zëdhënësi Guillaume Mercier shprehu besim tek SPAK por nuk mbajti një qëndrim lidhur me fajësinë e Hysenit apo mbi pretendimet se mund të jenë cenuar informacionet e partnerëve ndërkombëtarë. Veç të tjerash, ai vlerësoi edhe progresin e ‘konsiderueshëm’ të Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit
“Siç e dini, ne nuk komentojmë çështje në vazhdim. Por mund të them se ndjekim nga afër zhvillimet që lidhen me shtetin e së drejtës, veçanërisht reformën në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ku Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm. Kemi besim të plotë në aftësinë e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur si SPAK, për të zbuluar, hetuar dhe ndjekur penalisht korrupsionin dhe krimin e organizuar”, tha Mercier.
Reagimi vjen pas zbulimit të komunikimeve të shumta mes Hysenit dhe biznesmenit Ergys Agasi, i hetuar në dosjen e prokurimeve të AKSHI-t. Mes tyre janë regjistruar 508 komunikime nga fundi i qershorit deri në fund të gushtit, periudhë gjatë së cilës Agasi ishte në kërkim. Prokuroria dyshon se ish-drejtuesja e shërbimit sekret i ka dhënë atij informacione konfidenciale. Gjykata e Posaçme la në fuqi masën e arrestit në shtëpi ndaj saj më 24 shtator.


