Altin Arapi, i njohur edhe me mbiemrin Demiri dhe pseudonimin “Boraqi”, është një nga personat e arrestuar në kuadër të operacionit policor “Vjeshta”, të zhvilluar kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike në Sarandë.
Sipas burimeve, 49-vjeçari konsiderohej prej vitesh si një person me rol të rëndësishëm në tregun lokal të kokainës. Në operacionin e fundit nuk janë arrestuar persona të identifikuar si bashkëpunëtorë të drejtpërdrejtë të tij, megjithëse dyshohet se Arapi ishte skeduar së bashku me të paktën dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve i ndaluar më herët.
Të njëjtat burime pretendojnë se ai kishte qenë prej kohësh nën vëzhgimin e policisë, por sigurimi i provave dhe arrestimi i tij kishin rezultuar të vështira. Gjithashtu, janë ngritur dyshime të pakonfirmuara se Arapi mund të merrte informacione nga persona brenda strukturave policore, duke arritur të shmangte operacionet e organizuara kundër tij.
Një prej episodeve të përmendura është ai i 20 janarit 2022, kur policia tentoi ta kontrollonte me dyshimin se mbante lëndë narkotike. Gjatë ndërhyrjes nuk u gjet drogë, por Arapi u arrestua për kundërshtim të punonjësve të policisë. Sipas të dhënave të raportuara në atë kohë, ai bëri rezistencë dhe theu telefonin celular.
Emri i tij u përmend sërish në maj 2025, pas paraqitjes në Spitalin e Sarandës të një 15-vjeçareje në gjendje të intoksikuar. Në atë rast u raportua se e mitura kishte pasur me vete pesë gramë kokainë, ndërsa Arapi ishte mes personave të marrë në pyetje nga autoritetet.
Rreth tetë vjet më parë, ai ishte arrestuar në Tiranë së bashku me dy persona të tjerë nga Saranda, pasi iu gjet një sasi e vogël kokaine. Për këtë rast qëndroi disa muaj në burg.


