Policia ka dhënë informacionin e parë zyrtar për vrasjen e ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Ndërfushas të Mirditës.
Rreth orës 09:00, 65-vjeçari Viktor Bardhi është gjetur i pajetë brenda automjetit të tij. Sipas Policisë, ai dyshohet se është vrarë me armë zjarri.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes, mbledhjen e provave dhe zbardhjen e rrethanave që çuan në vrasjen e 65-vjeçarit.
Ende nuk ka një motiv zyrtar për ngjarjen. Pista e një hakmarrjeje është një nga mundësitë që po verifikohen nga hetuesit, ndërsa pritet që në vijim të dalin të dhëna të tjera për dinamikën e atentatit.
Viktor Bardhi është vëllai i Martin Bardhit, i cili u ekzekutua më 26 shtator 2023 në Rrëshen. Vrasja e sotme rikthen në vëmendje edhe historikun e përplasjeve të rënda mes familjeve Bardhi dhe Reçi në Mirditë.
Hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të dyshuar.
Njoftimi i Policisë:
Mirditë/Informacion paraprak Rreth orës 09:00, në fshatin Ndërfushas, është gjetur i pajetë në automjetin e tij, shtetasi V. B., rreth 65 vjeç, i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarje.


