GJKKO ka lënë sot (29 gusht) në burg ish-policin Uljan Shpataraku.
Shpataraku u arrestua nga autoritetet, ndërsa u kap në makinë me biznesmenin e kërkuar Ergys Agasi.
Ish-zyrtari i policisë akuzohej për veprën penale “të përkrahjes së autorit të krimit”. SPAK akuzon Agasin për dosjen e tenderëve të AKSHI-t, duke ngritur 6 vepra penale të rënda.
Shpataraku u ndalua në zonën e Plepave, teksa drejtonte automjetin me të cilin udhëtonte edhe Ergys Agasi, i cili ishte shpallur në kërkim nga drejtësia. Sipas SPAK, ndaj ish-punonjësit të Policisë është ngritur akuza për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Seanca për caktimin e masës së sigurisë u zhvillua këtë të shtunë (29 gusht) në GJKKO, ndërsa më herët avokati i Shpatarakut ishte paraqitur në ambientet e gjykatës.
Pas arrestimit, autoritetet kryen kontrolle edhe në banesën e ish-zyrtarit të Policisë, ku u sekuestruan 7 armë zjarri, konkretisht 3 pistoleta, 2 armë gjahu dhe 2 pushkë. Sipas të dhënave të publikuara, armët disponoheshin me leje, ndërsa më pas Shpatarakut iu hoq leja e armës.


