Dy efektivë të forcave speciale “Shqiponja” janë pezulluar menjëherë nga detyra, pasi u bënë shkak për shpërndarjen në media të fotove të Ergys Agasit dhe Ulian Shpatarakut gjatë marrjes në pyetje në ambientet e Drejtorisë së Policisë.
Ngjarja ka vënë në lëvizje Drejtorinë e Standardeve Profesionale, e cila ka nisur një hetim administrativ për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe për të ndëshkuar shkeljen e sigurisë dhe sekretit hetimor.
Policia e Shtetit tha se ndaj dy efektivëve ka nisur hetim disiplinor për “shkelje të rëndë”, pas verifikimeve për nxjerrjen dhe publikimin e fotografive.
Ergys Agasi, i cili u arrestua së bashku me ish-efektivin Uljan Shpataraku në zonën e Plepave në Durrës pas një operacioni të ndjekur nga SPAK, akuzohet për krijimin e një grupi të strukturuar kriminal për manipulimin e tenderëve të AKSHI-t në bashkëpunim me Ermal Beqirajn.
Ndërkohë, autoritetet vijojnë hetimet e thelluara për dosjen e korrupsionit, si dhe për përgjegjësinë e punonjësve të policisë që lejuan rrjedhjen e imazheve nga ambientet e brendshme të komisariatit.


