Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 21 vatra zjarri, nga të cilat 6 mbeten aktive dhe 7 nën mbikëqyrje.
Në operacionet për menaxhimin e situatës janë angazhuar 354 forca operacionale dhe 24 automjete zjarrfikëse, të mbështetura nga 155 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 automjete zjarrfikëse, 1 ekskavator i rëndë, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Vatrat aktive përfshijnë Malin e Dajtit, ku operacioni vijon me mbështetjen e 30 efektivëve të FA-së dhe kapacitetet ajrore, pa rrezik për zonat e banuara.
Në Qafë e Helmes, Bulqizë, zjarri është riaktivizuar sot në dy vatra në pyll me pisha të dendura, ku janë angazhuar 11 efektivë të MZSH për vendosjen e situatës nën kontroll.
Në Shtuf të Mirditës, vatra mbetet aktive por me intensitet të ulët dhe po monitorohet nga strukturat vendore. Në Shtanë–Tenë, Mirditë, situata paraqitet e stabilizuar dhe vijon puna me 6 efektivë MZSH, 6 punonjës të shërbimit pyjor dhe 15 forca bashkiake, pa rrezik për banesat.
Në Prozhem, Pukë, vatra vijon aktive në sipërfaqe pyjore, ku janë angazhuar strukturat vendore dhe 30 efektivë të FA-së. Ndërkohë, situata në Gjegjan, Gojan të Vogël dhe Gojan të Madh është izoluar ose shuar dhe po mbahet nën mbikëqyrje.
Në Malin e Çikës, mbi Palasë, vatra vijon në terren të thepisur dhe të paaksesueshëm, ndërsa sot operacioni për fikjen përfundimtare mbështetet nga 2 avionë Air Tractor.
Pavarësisht terrenit të vështirë dhe ndikimit të erës në disa zona, Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se situata në disa prej vatrave kryesore është përmirësuar. Operacionet vijojnë me fokus izolimin e vatrave aktive, parandalimin e riaktivizimeve dhe mbrojtjen e zonave të banuara.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.


