Vendimi i liderit suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei, për të zyrtarizuar gjashtë emërime të larta ushtarake dhe të sigurisë brenda 48 orësh është më pak një çështje emërimesh personale sesa kapitulli përmbyllës i një periudhe pesëmujore improvizimi.
Të marra së bashku, emërimet e shpallura më 10 gusht tregojnë se lideri i ri suprem po përpiqet ta shndërrojë një zinxhir komandues të krijuar në kushte emergjence gjatë luftës – të ngritur pas sulmeve izraelite dhe amerikane që vranë një pjesë të madhe të udhëheqjes së lartë ushtarake të Iranit – në një strukturë të përhershme të ndërtuar rreth njerëzve tek të cilët ai ka besim.
Rindërtimi nga lart poshtë, për herë të dytë
Shkalla e boshllëkut që Khamenei po përpiqej të mbushte humbet lehtë mes listës së emrave.
Mohammad Baqeri, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, u vra në ditët e para të luftës 12-ditore në qershor të vitit 2025. Pasardhësi i tij, Abdolrahim Musavi, qëndroi në detyrë vetëm për pak muaj, para se edhe ai të vritej – në sulmin e 28 shkurtit, i cili vrau edhe liderin suprem, ajatollah Ali Khamenei. Për rreth pesë muaj pas kësaj, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Iranit nuk pati fare shef; koordinimi iu la në dorë Shtabit Qendror Khatam al-Anbiya, i cili në atë kohë drejtohej nga Ali Abdollahi.
E njëjta gjë ndodhi edhe me zinxhirin komandues të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC): shefi i IRGC-së, Hossein Salami, u vra në luftën 12-ditore; pasardhësi i tij, Mohammad Pakpur, u vra së bashku me Musavin në luftën 40-ditore në fillim të këtij viti; ndërsa Ahmad Vahidi e drejtoi IRGC-në në cilësinë e ushtruesit të detyrës që atëherë, derisa dekreti i Khameneit më 10 gusht e bëri emërimin zyrtar dhe e gradoi në gjeneralmajor.
Fakti që dy zinxhirë paralelë komandues funksionuan për muaj të tërë nën drejtues që ushtronin detyrën pa u emëruar zyrtarisht, është në vetvete një tregues se sa e goditur ishte struktura e lartë e oficerëve iranianë nga sulmet izraelite dhe amerikane. Dekretet e reja nuk bëjnë vetëm emërimin e njerëzve të rinj; ato i japin fund një periudhe gjatë së cilës hierarkia ushtarake e Iranit ekzistonte më shumë si një improvizim i kohës së luftës sesa si një zinxhir komandues i vulosur zyrtarisht nga lideri suprem.
Integrim, jo vetëm zëvendësim
Sinjali më interesant gjendet në gjuhën e dekretit për emërimin e Abdollahit, ku kërkohet “përfundimi i integrimit” të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura me Shtabin Qendror Khatam al-Anbiya – një bashkim që lideri i ri suprem ia atribuon një strategjie të nisur nga babai i tij.
Kjo, e kombinuar me faktin se krahas promovimit të Abdollahit nuk u emërua një komandant i ri i Khatam al-Anbiya-s, sugjeron se vetë posti mund të jetë duke u përfshirë në strukturën e Shtabit të Përgjithshëm, në vend që të plotësohet – pra kemi të bëjmë me një konsolidim strukturor dhe jo thjesht me një vendim për personelin.
Nëse Khatam al-Anbiya përfshihet efektivisht në Shtabin e Përgjithshëm, kjo do të shënonte një centralizim të vërtetë të aparatit iranian të koordinimit gjatë luftës nën një komandë të vetme, në vend të strukturës gjysmë paralele që ekzistonte nën Ali Khamenein, tashmë të vrarë.
Rikthimi i Taebit
Ndoshta një nga emërimet më të anashkaluara nga mediat është edhe ai që mbart peshën më të madhe në planin e brendshëm: Hossein Taeb si komandant i forcës paramilitare Basixh.
Taebi nuk është një zëvendësues i kohës së luftës në të njëjtin kuptim si Abdollahi apo Vahidi; ai është rikthyer. Ai e ndërtoi karrierën në Ministrinë e Inteligjencës, para se të largohej prej saj, dhe më pas krijoi një aparat paralel të inteligjencës brenda Gardës Revolucionare – Organizatën famëkeqe të Inteligjencës së IRGC-së – të cilën e drejtoi deri në shkarkimin e tij në mesin e vitit 2022.
Gjuha e dekretit për emërimin e Taebit e përforcon dimensionin e brendshëm: ai kërkon forcimin e një “rrjeti të inteligjencës popullore” dhe realizimin e sloganit “çdo iranian, anëtar i Basixhit”, duke iu referuar në mënyrë të drejtpërdrejtë mobilizimeve pro-Republikës Islamike në rrugë, të cilat kanë vazhduar që nga fillimi i luftës 40-ditore, si një bazë për t’u zgjeruar “në mbrojtje të Revolucionit Islamik”.
Ndërsa pesë emërimet e tjera i përgjigjen problemit të humbjeve ushtarake, ky emërim i përgjigjet një pyetjeje tjetër: kujt i beson lideri i ri suprem për të mbikëqyrur popullsinë dhe për të menaxhuar kërcënimet e brendshme, në një kohë kur legjitimiteti i shtetit po vihet në provë nga pasardhja dinastike dhe vështirësitë e kohës së luftës.
Analisti me bazë në Paris, Reza Alijani, duke folur për Radion Farda, shërbim në gjuhën persiane i Radios Evropa e Lirë, tha se emërimet – përfshirë edhe emërimin e Mohsen Rezaeit si shef i ri i sigurisë në Iran – kanë të bëjnë kryesisht me Khamenein që “aktivizon dhe shfaq” autoritetin e tij, dhe jo me ndonjë ndryshim të vërtetë të drejtimit. Shumica e personave të promovuar, vuri në dukje ai, kanë shërbyer tashmë në aparatin ekzekutiv të Republikës Islamike, çka sugjeron se e njëjta logjikë ushtarake në politikën e jashtme dhe e njëjta logjikë e sigurisë brenda vendit thjesht po riprodhohen.
Ai veçoi emërimet e Taebit dhe Rezaeit si, në thelb, rikthim në skenë të “figurave të falimentuara politikisht dhe nga pikëpamja e sigurisë”, por paralajmëroi se, sa i përket sigurisë së brendshme, në të vërtetë nuk ndryshon shumë: i njëjti aparat, edhe pa Taebin në krye, kishte vrarë mijëra njerëz gjatë protestave të gjera në janar.
Megjithatë, vlerësimi më i gjerë i Alijanit është se, pavarësisht dallimeve në aspektin e fraksioneve, riorganizimi “nuk mbart ndonjë kuptim të rëndësishëm politik” as për politikën e brendshme dhe as për atë të jashtme. Sipas tij, në fund, “interesi i sistemit” do të “mbizotërojë ngushtë ndaj ideologjisë” së tij, me një kosto që do ta paguajnë nga xhepat dhe me jetët e tyre iranianët e zakonshëm./ REL


