Shqipëria është përballur me një numër të lartë tentativash për sulme kibernetike gjatë gjysmës së parë të vitit 2026. Sipas të dhënave zyrtare, nga janari deri në qershor janë regjistruar 14,628,595 tentativa për të goditur infrastrukturat e ekosistemit kibernetik të vendit.
Statistikat tregojnë se sistemet digjitale shqiptare janë përballur mesatarisht me rreth 56.4 tentativa sulmi çdo minutë, çka nënvizon nivelin e lartë të kërcënimeve në hapësirën kibernetike dhe nevojën për masa të vazhdueshme mbrojtëse.
Sipas raportit, 54% e tentativave kanë pasur në shënjestër infrastrukturat e rëndësishme të informacionit, ndërsa 46% janë drejtuar ndaj infrastrukturave kritike të informacionit.
Ndër sektorët më të prekur renditen sistemi financiar, administrata publike, infrastruktura digjitale dhe sektori energjetik, të cilët konsiderohen jetikë për funksionimin e vendit.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike bën me dije se vijon monitorimin e vazhdueshëm të kërcënimeve dhe forcimin e mekanizmave mbrojtës për sistemet informative, me synim rritjen e qëndrueshmërisë së infrastrukturave shqiptare dhe garantimin e sigurisë së shërbimeve digjitale.


