Një tjetër film i njohur i kinematografisë shqiptare po rikthehet në ekran me një cilësi të re. Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ka nisur restaurimin e “Dimri i Fundit”, një prej prodhimeve më të njohura të viteve ’70, që së shpejti do të ketë premierën në versionin e restauruar në Kinema Drita.
Procesi po realizohet në studion e restaurimit të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit nga specialistët audiovizualë Erand Meça dhe Hajrije Dedej. Sipas institucionit, puna synon të ruajë dhe të rikthejë në cilësinë më të mirë një nga veprat e rëndësishme të trashëgimisë sonë filmike.
“Dimri i Fundit” është prodhuar në vitin 1976, me regji të Ibrahim Muçajt dhe Kristaq Mitros, skenar të Nexhati Tafës dhe muzikë të Aleksandër Lalos.Filmi rrëfen historinë e grave të një fshati gjatë Luftës së Dytë Botërore, të cilat, ndërsa përballen me trupat gjermane, arrijnë të furnizojnë fshehurazi me bukë dhe ushqime partizanët e plagosur që janë strehuar në mal. Në qendër të historisë janë nënë Shano dhe nënë Mara, të cilat udhëheqin gratë e fshatit në këtë mision.
Në role interpretojnë disa nga emrat më të njohur të kinemasë shqiptare, mes tyre Liza Laska, Margarita Xhepa, Dhimitra Plasari, Rajmonda Bulku, Agim Qirjaqi dhe Guljelm Radoja.


