Ndërsa renditi një sërë modelesh qeverisjeje nga Argjentina në Suedi, kryeministri Rama u tha drejtuesve politikë se PS, me dokumentin “Prania besnike” duhet të mësojë nga të tjerët, por pa trashëguar sëmundjen. Më pas, ai tha se pyetja më legjitime deri tani është “pse doni të qëndroni akoma”, ndërsa urdhrat e sharjet nuk i konsideron.
“‘Prania besnike’ e PS nuk mund të jetë as zyrta e ‘punteros’ argjentinas, as zyrë ankesash dhe as kopje shqiptare e ritualit të Singaporit apo tentativë e dështuar nostalgjike. Ajo duhet të marrë prej përvojave të të tjerëve, pa trashëguar sëmundjen. Këtu vjen një pyetje që mbase askush s’e bën në këtë sallë, por e bëjnë njerëzit: pse doni të qëndroni më gjatë? Pse s’ju mjaftojnë gjithë këto vite? Pse s’është koha t’ua lini vendin të tjerëve? Apo edhe më shkurt, komente të cilat i kam para syve, po ishalla vdisni një orë e më parë, çohuni që aty dhe shkoni nëpër shtëpi se s’jeni vetëm ju këtu. Pyetjet janë legjitime, dëshirat janë shprehje lirie, urdhrat dhe sharjet s’i konsideroj se janë konflikt i shumëfishtë interesi. Pas 13 vitesh qeverisje, “Pse doni të qëndroni akoma”, është pyetja më legjitime që mund të na bëhet”, tha Rama.


