Atentati i mbrëmjes së djeshme në Sarandë ndaj Thimjo Rubatit, një person me dosje voluminoze për precedentët penalë, i skeduar nga policia në Shqipëri, por edhe në Greqi, vijon të mbetet i veshur nga misteri përsa i përket autorëve dhe pistës apo motivit konkret të sulmit.
50-vjeçari i njohur edhe me identitetin e dytë Sandër Rubati, mbeti i plagosur rëndë me tre plumba, teksa u qëllua nga dy persona që lëviznin me motor. Mjekët rekomanduan të transportohet drejt Janinës për mjekim të specializuar, si spitali më i afërt, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.
Rubati u qëllua me armë zjarri në qytetin e Sarandës, ndërsa autorët që mbanin skafandra për të mos u identifikuar, dyshohet se u larguan me motor dhe humbën gjurmët në zonën e “Baba Rexhepit”, pranë varrezave të qytetit. Policia vijon kërkimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve dhe deri tani nuk ka ende asnjë gjurmë.
Ndërkohë, të dhënat mbi të kaluarën e 50-vjeçarit tregojnë se ai kishte dalë vitet e fundit nga një burg në Greqi, ku ishte përballur me akuza për një ngjarje të rëndë penale dhe një nga pistat e krimit mbetet hakmarrja për këto konflikte të mbartura.
Gjatë kohës që ndodhej në burg në Greqi, Rubati rezultonte i kërkuar edhe në Shqipëri për një dosje ku ishin të përfshirë edhe disa doganierë, lidhur me një skemë të dyshuar për trafikim dhe kontrabandim automjetesh.
Për këtë çështje, ai u dënua nga Gjykata e Apelit me masë alternative, duke shmangur vuajtjen e dënimit me burg. Pas përfundimit të periudhës së burgimit në Greqi, ai nuk kreu dënim me burg në Shqipëri.
Hetimet për atentatin vijojnë, ndërsa grupi hetimor po punon për të zbardhur motivin e sulmit dhe për të identifikuar autorët.
Si ndodhi ngjarja dhe lidhja e djalit të Rubatit në dhunën ndaj oficerit të policisë
Mësohet se Rubati është transportuar fillimisht me urgjencë në Spitalin e Sarandës në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa më pas është nisur drejt Tiranës, pasi dyshohet se ka marrë tre plumba.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se bëhet fjalë për një atentat të organizuar, pasi 50-vjeçari është qëlluar me armë zjarri nga dy persona të maskuar, të cilët dyshohet se lëviznin me një motomjet në lagjen nr. 4 të Sarandës.
Pas të shtënave, autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa Policia ka ngritur pika kontrolli dhe ka blinduar hyrje-daljet e qytetit në përpjekje për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Thimjo Rubati rezulton një person me precedentë të shumtë penalë. Ai është i skeduar më herët për vepra penale që lidhen me trafik klandestinësh, kontrabandë, armëmbajtje pa leje, si dhe trafik të mjeteve motorike.
Detajet e para të hetimit tregojnë se ngjarja ka ndodhur vetëm pak metra larg vendit ku një natë më parë u dhunua oficeri i Policisë Mihal Velço.
Për këtë ngjarje, policia ka shpallur në kërkim djalin e Thimjo Rubatit, Andrea Rubati, 27 vjeç, së bashku me dy persona të tjerë, Antonio Lefteri dhe Engjëll Dalanaj, të tre me precedentë penalë.


