Valët e të nxehtit nuk prekin të gjithë njësoj. Sipas ekspertëve të shëndetit, gratë janë biologjikisht dhe shoqërisht më të rrezikuara nga temperaturat ekstreme, pasi organizmi i tyre e ka më të vështirë të përballojë vapën krahasuar me burrat.
Pas temperaturave rekord të regjistruara gjatë muajit qershor, shumë gra kanë raportuar simptoma si lodhje e theksuar, marramendje, nervozizëm, fryrje të trupit, ankth dhe mungesë përqendrimi. Specialistët paralajmërojnë se me shtimin e valëve të të nxehtit për shkak të ndryshimeve klimatike, këto probleme pritet të bëhen gjithnjë e më të shpeshta.
Mjekët shpjegojnë se temperaturat e larta përbëjnë një “test stresi” për sistemin kardiovaskular të grave. Studimet sugjerojnë se gratë mund të kenë një rrezik disi më të lartë për komplikacione serioze dhe madje edhe për vdekje gjatë valëve të të nxehtit.
Sipas ekspertëve, një nga arsyet kryesore është mënyra se si funksionon organizmi i grave. Ato djersijnë më pak dhe vetëm kur temperatura e trupit rritet më shumë, çka e bën më të vështirë ftohjen natyrale të organizmit.
Gjithashtu, luhatjet hormonale gjatë ciklit menstrual, shtatzënisë, periudhës para menopauzës dhe menopauzës ndikojnë në aftësinë e trupit për të rregulluar temperaturën.
Temperaturat e larta mund të përkeqësojnë simptomat gjatë menstruacioneve. Shumë gra raportojnë lodhje më të madhe, marramendje, pagjumësi dhe dhimbje më të forta gjatë ditëve me vapë.
Ndërkohë, gratë në menopauzë ose paramenopauzë përjetojnë më shpesh afshe të nxehta dhe djersitje gjatë natës, simptoma që mund të intensifikohen ndjeshëm gjatë valëve të të nxehtit.
Edhe gratë shtatzëna janë ndër grupet më të rrezikuara. Organizmi prodhon më shumë nxehtësi dhe ka nevojë për më shumë lëngje, ndërsa zemra punon më shumë për të furnizuar me gjak edhe fetusin.
Studimet tregojnë se ekspozimi i zgjatur ndaj temperaturave të larta mund të rrisë rrezikun e komplikacioneve si për nënën, ashtu edhe për foshnjën.


