jë ngjarje e rëndë ka ndodhur në bregdetin e Otrantos, ku një 54-vjeçar ka ndërruar jetë pak pasi shpëtoi dy fëmijët e tij binjakë, vetëm 8 vjeç, të cilët ishin marrë nga rrymat detare.
Sipas mediave italiane, episodi tragjik u regjistrua paraditen e së shtunës, rreth orës 11:30. Edhe pse deti ishte i trazuar dhe era e fortë e bënte situatën të rrezikshme, disa pushues ndodheshin në ujë. Në një moment, dy të miturit u tërhoqën nga rrymat dhe nisën të largoheshin nga bregu.
Babai i tyre, Gennaro Cagnazzo, nga zona e Leçes, sapo dëgjoi thirrjet për ndihmë, u fut menjëherë në det. Ai arriti të shkonte pranë fëmijëve dhe t’i ndihmonte të ktheheshin të sigurt në breg.
Por vetëm pak çaste më vonë, pasi doli nga uji, 54-vjeçari u ndje keq dhe u rrëzua në rërë. Pushuesit e pranishëm nisën menjëherë manovrat e ndihmës së parë, ndërsa më pas ndërhynë edhe ekipet e emergjencës.
Pavarësisht përpjekjeve për ta rikthyer në jetë, Cagnazzo nuk mundi të mbijetonte. Autoritetet dyshojnë se ai ka pësuar një problem shëndetësor fatal, i shkaktuar ose i përkeqësuar nga sforcimi i madh gjatë shpëtimit të fëmijëve.


