Granit Pepnika, i cili ishte shpallur në kërkim si pjesë e grupit që iu zhvati 50 milionë euro qytetarëve evropianë përmes mashtrimit me “Call Center”, është arrestuar mesditën e kësaj të premteje në Dhërmi. Pepnika është ndaluar në një resort në Dhërmi nga Drejtoria Vendore dhe Forcat Operacionale të Vlorës. Pritet që autoritetet të japin detaje të mëtejshme lidhur me operacionin dhe procedurat që do të ndiqen ndaj tij.
Arrestimi i tij vjen në kuadër të dosjes së bujshme të call centerave, që dyshohet se kanë mashtruar qindra qytetarë europianë dhe kanë shkaktuar një dëm financiar që llogaritet mbi 50 milionë euro. Sipas dosjes hetimore, skema funksiononte përmes call centerave të organizuar në mënyrë profesionale, ku operatorët komunikonin në gjermanisht, italisht dhe anglisht me qytetarë europianë. Ata prezantoheshin si këshilltarë financiarë apo përfaqësues platformash investimi dhe u premtonin personave fitime të mëdha nga investimet në bursë, kriptovaluta apo tregje financiare.


