Lidhur me njoftimin e Ambasadës së SHBA në Tiranë për mundësinë e sulmeve nga Irani në vendin tonë, Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari u shpreh sot nga Kuvendi se ka pasur komunikime të drejtpërdrejta të strukturave të dedikuara të policisë me ambasadën amerikane dhe s’ka një rrezik real. Ai tha se Shqipëria ka marrë masa të shtuara sigurie në raport me zhvillimet ndërkombëtare.
“Jo më larg se mbrëmjen e djeshme u kam kërkuar strukturave të antiterrorit, sigurisë publike dhe policisë kriminale të jenë në komunikim me ambasadën amerikane, dhe është komunikuar se nuk ka informacione konkret për një rrezik real.
Fakti i dytë është që Shqipëria ka marrë masa të shtuara sigurie dhe kjo bazuar në zhvillimet ndërkombëtare që ndodhin, ku janë të angazhuar maksimalisht strukturat e shtetit, duke qenë në komunikim të vazhdueshëm me të paktën dy ambasada në vend. Ka një vlerësim nga Policia e Shtetit, ka edhe një plan veprimi që bën bashkë me detyra specifike çdo strukturë përgjegjëse. Fakt është që Shqipëria mbetet një vend i sigurt për qytetarët dhe ata që e vizitojnë, përtej postimeve që ju, për fat të keq, i lexoni kur vijnë nga Irani, por jo për protestat e dhunshme me molotovë”, tha Lamallari.


