Në tryezën qeveritare ku u bë një panoramë e progresit të Shqipërisë në negociata me Bashkimin Europian, kryeministri Edi Rama e vuri theksin tek domosdoshmëria e modernizimit të prokurimeve publike si një nga kushtet kryesore në këtë proces.
Ai nënvizoi se puna e nisur për modernizimin e prokurimeve me inteligjencën artificiale duhet të vazhdojë, duke theksuar se ky objektiv duhet të jetë realizuar deri në vitin 2027, kur qeveria synon të ketë mbyllur edhe procesin e negociatave.
“Ajo që bie në sy është domosdoshmëria për të kaluar nga një progres i kufizuar, në një progres të mirë te prokurimi publik, ku ne kemi bërë një progres të madh, por nuk jemi ende në kornizën e progresit të mirë, që do të thotë edhe plotësim i këtij aspekti si pjesë e kushteve. Është e rëndësishme që puna e nisur për modernizimin e mëtejshëm të prokurimit publik me inteligjencën artificiale duhet të vazhdojë dhe kurorëzimi i saj do të na çojë në një nivel krejt tjetër dhe do na bëjë një vend shembull në këtë aspekt. Kjo duhet t’i përkasë kësaj kornize kohore, brenda kalendarit të negociatave dhe 2027 duhet të na gjejë me këtë objektiv të realizuar”, theksoi Rama.


