Kryeministri Edi Rama, teksa mori sot në mbrojtje ish-zv/kryeministren e shkarkuar Belinda Balluku, duke mbështetur raportin e grupit të PS te Këshilli i Mandateve për të refuzuar kërkesën e SPAK për heqjen e mandatit, nuk kurseu as ironitë për kundërshtarin politik.
Teksa foli për rezultatin e zgjedhjeve të fundit, duke e cilësuar “asfaltim nga Dibra në Fier”, ai nuk harroi edhe deputeten Zegjinë Çaushi dhe ngacmimet e saj politike ndaj kreut të grupit të PD-së, Gazment Bardhi.
Ai mori si shembull episodin e fundit, ku deputeti demokrat u mor në mbrojtje nga Komiteti i Helsinkit pas deklaratave të deputetes socialiste në Kuvend, që i drejtohet Bardhit si “Gazi im”.
“Megjithë Gazin e Zegjinesë, hapë kllapë, burri i parë në historinë e Evropës që Komiteti i Helsinkit e mori në mbrojtje nga një vajzë, Mëshirë Zegjine, mbyll kllapë”, tha Rama.
Më tej ai mori në mbrojtje Ballukun, për të cilën tha se edhe pse pa funksione, do jetë drejtuese politike e qarkut Fier në zgjedhjet lokale dhe rezultatet do tregojnë nëse ajo ka burim fuqie politike siç mendohet nga shumëkush.
Ai akuzoi opozitën se kur ishte në pushtet, “harxhoi para dhe i la rrugët rrugëve”.
“Por ndërkohë që Belinda Balluku u kthye në shtrigën që duhet djegur në turrën e druve me zjarr molotovësh si në mesjetë, dhe tërë fondet e mobilizuara si asnjëherë më parë në këto vite nga burimet e shtetit, organizmat financiare apo private u kthyen në para të grabitura prej asaj vetë, unë pikërisht sot duhet t’i them shqiptarëve se ndryshimin epokal që vazhdon dhe do vazhdojë në infrastrukturë dhe energjetikë, nuk e solli koha dhe as paratë, se këta kanë harxhuar plotë kohë më parë për rrugët e lëna rrugëve, nuk e solli askush përveç votës së tyre për këtë parti, për qeverinë e kësaj partie, ku bën pjesë edhe Belind Balluku si anëtare e PS, si më e votuara dhe më e mbështetura nga zgjedhësit, që drejtoi për 6 vite ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjetikës pa orar, për të realizuar objektivat për sektorët që kanë vuajtur prapambetjen historike për shumë arsye”, tha ai.
Dhe më tej Rama vijoi:
“Këtu mes nesh ka disa që mendojnë se fitoret shembullore e spektakolare të Belindës në territor burojnë nga fuqia e pushtetit që ajo kishte, kjo mbetet për t’u parë në zgjedhjet vendore në qarkun e Fierit, ku ajo do drejtojë, se do vazhdojë të jetë drejtuese e qarkut pasi tani nuk ka më funksion politik”.





