Mes tensioneve diplomatike mes SHBA-së dhe Spanjës, Shtëpia e Bardhë njoftoi se Madridi do të bashkëpunojë me ushtrinë amerikane, pavarësisht përplasjeve të fundit në nivel të lartë politik.
Marrëdhëniet mes dy vendeve ishin ftohur pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez, lidhur me refuzimin fillestar të Spanjës për të lehtësuar operacionet kundër Iranit.
“Dëgjuan mesazhin e Trump-it”
Gjatë një konference për shtyp të mërkurën, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi se autoritetet spanjolle “e dëgjuan mesazhin e Trump-it me zë të lartë dhe të qartë”.
“Ata ranë dakord të bashkëpunojnë me ushtrinë amerikane. Ushtria amerikane po koordinohet me homologët e saj në Spanjë”, u shpreh ajo.
Njoftimi sinjalizon një zbutje të përkohshme të tensioneve mes Uashingtonit dhe Madridit, në një moment kur zhvillimet në Lindjen e Mesme po rrisin presionin mbi aleatët perëndimorë për koordinim më të ngushtë ushtarak.


