Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi të mërkurën, 4 shkurt, se vendi ku do të zhvillohen bisedimet mes SHBA-ve dhe Iranit është ende duke u diskutuar, ndërsa theksoi se çdo dialog duhet të trajtojë një sërë çështjesh thelbësore, përfshirë programin bërthamor të Teheranit, raketat balistike, mbështetjen për organizata terroriste në rajon dhe trajtimin e qytetarëve iranianë.
Duke folur në një konferencë për shtyp në Washington, përpara një takimi mbi mineralet kritike, Rubio tha se Shtetet e Bashkuara fillimisht kishin rënë dakord për një forum bisedimesh në Turqi.
“Ne menduam se kishim një forum të dakordësuar në Turqi. Ai ishte organizuar nga një numër partnerësh që dëshironin të merrnin pjesë dhe të ishin pjesë e procesit. Por dje pashë raportime kontradiktore nga pala iraniane, të cilat thonin se ata nuk kishin rënë dakord për këtë. Kjo çështje është ende në diskutim”, deklaroi Rubio.
Sekretari amerikan i Shtetit theksoi gjithashtu se çdo bisedim me Iranin nuk përbën ‘legjitimim’ të regjimit iranian.
“Që bisedimet të çojnë në diçka kuptimplotë, ato duhet të përfshijnë disa elementë thelbësorë. Këto përfshijnë gamën e raketave të tyre balistike, mbështetjen që u japin organizatave terroriste në të gjithë rajonin, programin bërthamor dhe mënyrën se si i trajtojnë qytetarët e tyre”, u shpreh Rubio.
Sipas disa raportimeve mediatike, bisedimet bërthamore mes SHBA-ve dhe Iranit, të cilat fillimisht ishin parashikuar të mbaheshin në Turqi, tashmë pritet të zhvillohen në Oman.


