Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, në krye të një delegacioni parlamentar, po zhvillon një vizitë pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në Kongresin Amerikan, Kryetari Peleshi dhe delegacioni parlamentar zhvilluan takime me Kryetarin e Nënkomisionit për Evropën në Komisionin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Keith Self, si edhe me Kryetarin e Nënkomisionit për Qeverisjen, Pete Sessions.
Gjatë këtyre takimeve u nënvizua se Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës gëzojnë një marrëdhënie të fortë, të qëndrueshme dhe strategjike, të ndërtuar mbi vlera të përbashkëta dhe një aleancë të palëkundur.
Kryetari Peleshi riafirmoi angazhimin e plotë të Shqipërisë ndaj Shteteve të Bashkuara, si partneri ynë kryesor strategjik, duke shprehur mirënjohje të veçantë për mbështetjen e vazhdueshme amerikane në integrimet euroatlantike të vendit dhe në zbatimin e reformave transformuese, me fokus të veçantë reformën në drejtësi.
U nënvizua rëndësia e marrëdhënieve dypalëshe dhe vullneti për të forcuar më tej bashkëpunimin në fusha me interes të ndërsjellë, në përputhje me prioritetet strategjike dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nën udhëheqjen e Presidentit Trump.
Ky bashkëpunim po forcohet më tej edhe përmes angazhimit në Bordin e Paqes të SHBA-së, ku Shqipëria është Anëtare Themeluese, pjesëmarrje e ratifikuar edhe nga Kuvendi i Shqipërisë.


