Bashkimi Evropian ka hapur zyrtarisht një hetim ndaj platformës “X” (ish-Twitter) të Elon Musk të hënën, pas provave tronditëse se chatbot-i i saj, Grok, po gjeneronte dhe shpërndante imazhe seksuale të manipuluara (deepfakes) pa pëlqimin e personave, përfshirë gra dhe fëmijë.
Komisioni Evropian ka aktivizuar mekanizmat e Aktit të Shërbimeve Digjitale (DSA). Hetimi fokusohet në dy pika kritike: Dështimi i platformës për të ndaluar Grok-un që të krijonte imazhe ku njerëzit shfaqeshin të zhveshur, me bikini transparente ose në situata kompromentuese; vendimi i “X” për të përdorur sistemin e Grok në përzgjedhjen e postimeve që u shfaqen përdoruesve, gjë që mund të amplifikojë përmbajtjen e dëmshme.
“Falsifikimet seksuale pa pëlqimin e grave dhe fëmijëve janë një formë e dhunshme dhe e papranueshme degradimi. Do të përcaktojmë nëse X i ka trajtuar të drejtat e qytetarëve evropianë si dëme anësore,” deklaroi Henna Virkkunen, nënkryetare ekzekutive në Komisionin Evropian.
Shqetësimi më i madh për rregullatorët është se këto rreziqe tashmë janë “materializuar”. Studiuesit kanë zbuluar se mjeti i inteligjencës artificiale jo vetëm që zhvishte të rriturit, por në disa raste, imazhet e manipuluara përfshinin edhe fëmijë, duke ekspozuar qytetarët ndaj “dëmtimeve serioze”.
Reagimi global dhe mbrojtja e X
Skandali ka shkaktuar reagime zinxhir në mbarë botën. Malajzia dhe Indonezia u bënë vendet e para që bllokuan aksesin te Grok. Prokurorët e Përgjithshëm të 35 shteteve i kanë dërguar letër kompanisë duke kërkuar masa urgjente.
Nga ana e saj, platforma “X” ka deklaruar se ka “tolerancë zero” për shfrytëzimin seksual dhe se mbetet e përkushtuar për sigurinë. Më 14 janar, kompania njoftoi kufizime për përshkrimet e njerëzve me veshje ekspozuese, por vetëm në juridiksionet ku kjo konsiderohet e paligjshme.
Hetimi nuk ka një afat kohor të caktuar, por nëse gjendet fajtore, platforma e Musk rrezikon gjoba të rënda financiare, pas asaj prej 120 milionë eurosh të dhënë në dhjetor për praktika mashtruese.


