Ushtria izraelite deklaroi sot, në një postim të shkurtër në X, se kishte vrarë një komandant lokal të Hamasit në Gaza, por më pas e fshiu këtë mesazh.
Në postim, komandanti identifikohej si Alaa Al-Handidi, përgjegjës për furnizimet në objektet e prodhimit të Hamasit. Nuk saktësohej se kur ishte vrarë ky komandant.
Ushtria izraelite tha se do të publikojë një njoftim më vonë.
Forcat izraelite kryen sulme që shkaktuan vdekjen e të paktën 21 personave, ndërsa ushtria izraelite bëri të ditur se kishte kundërpërgjigjur ndaj një sulmi të Hamasit duke vrarë pesë anëtarë të saj.
Forcat e armatosura izraelite kanë rifilluar që nga e mërkura bombardimet vdekjeprurëse në enklavën palestineze. Izraeli dhe Hamasi akuzojnë njëri-tjetrin për shkeljen e armëpushimit, i cili u vendos në fuqi më 10 tetor, nën presionin e SHBA-së, pas dy vitesh lufte shkatërrimtare.Dje, ushtria izraelite njoftoi se kishte “goditur objektiva” të Hamasit, në kundërpërgjigje, sipas saj, ndaj një sulmi të një “terroristi të armatosur” kundër trupave të saj, i cili kishte kaluar vijën kufizuese të pozicioneve izraelite në jug të enklavës.
“Më shumë se 20 të plagosur u dërguan në spital, shumica gra dhe fëmijë,” tha Khalil al-Dakran, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë të Hamasit. Shumë prej tyre “kishin plagë në kokë ose në gjoks”, sqaroi ai.


