Dasma e vajzës së Ali Shamkhani-t, një prej figurave më të afërta me udhëheqësin suprem të Iranit, Ali Khamenei, po bën xhiron e rrjeteve sociale dhe ka ndezur një debat të fortë publik në Teheran.
Në videot e publikuara në rrjet, vajza e një prej njerëzve më me ndikim në sistemin islamik, shfaqet pa hixhab dhe e veshur me një fustan modern. Veshja e nuses bie ndesh me kodin e rreptë të veshjes që regjimi ua imponon grave në Iran.
Mediat e huaja shkruajnë se ajo që në vende të tjera do të ishte një moment i zakonshëm familjar, në Iran është kthyer në një simbol të kontradiktave që po përjeton shoqëria: një brez i ri që kërkon liri personale, përballë një pushteti që vijon të ndëshkojë ashpër çdo shkelje të rregullave fetare.
Pamjet kanë shkaktuar valë kritikash në rrjetet sociale. Shumë iranianë e kanë cilësuar dasmën si shembull të hipokrizisë së elitës politike, e cila propagandon moralin islamik për qytetarët, ndërsa vetë jeton sipas standardeve krejt të tjera.


