• Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
AlpeNews
  • 12 June, 2026
AlpeNews

Tirana, Albania

12 June, 2026
  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Follow
    • Facebook
    • Twitter
    • Youtube
    • Instagram
  • No categories
ALFRED PEZA/ Protesta, si pasqyrë e vitit politik 2018
Home
OP-ED

ALFRED PEZA/ Protesta, si pasqyrë e vitit politik 2018

29 January, 2018 Redaktor1 OP-ED

Duke qenë aksioni i parë më i madh politik i opozitës, në nisje të vitit 2018, protesta e të shtunës mori të gjitha energjitë, jo vetëm të saj, por edhe të shumicës parlamentare, strukturave ligjzbatuese të qeverisë e shtetit, mediave dhe opinionit publik. Aq shumë u fokusuan mbi të, sa gati-gati të krijohej ideja se, 27 janari do të ishte dita e fundit të botës. Të gjitha planet, analizat, diskutimet, veprimet dhe çdo gjë tjetër rreth e rrotull tyre, bëheshin në funksion të asaj dite. Ai ishte kufiri i fundit kohor ku shihej jeta dhe kufiri i fundit hapësinor, ku ndalej shikimi, gjykimi dhe mendimi. A thua se, pas protestës, nuk do të kishte më jetë politike në këtë vend.

Dita e protestës erdhi. Njerëzit e opozitës i lanë të gjitha punët dhe, nga ishin e nuk ishin, u grumbulluan në Tiranë. Disa prej tyre, filluan të grumbulloheshin rreth vendit të mitingut, disa orë para mesditës, e caktuar si koha e fillimit të saj. Duke qëndruar sipas takatit, ca nëpër kafetë aty rreth e rrotull, ca nga selia e PD apo e LSI, ca të tjerë më të rafinuar e të regjur me këto punë, u bënë pjesë e grumbullit të madh, pak përpara nisjes së fjalimeve të liderëve të partive opozitare.

Kur momenti i shumëdiskutuar erdhi, të gjithë kishin zënë vendet që i takonin, për të vënë në atë skenë gjigante të teatrit politik shqiptar, shfaqjen e tyre të radhës. Dikush si aktori kryesor, dikush tjetër si protagonist. Ca të tjerë si regjisorë e skenaristë, ca si punëtorë skene, ca si duartrokitës dhe shumë të tjerë si figurantë e më shumë akoma, si spektatorë. Ata që rrinin pak si më të tërhequr, në vendin imagjinar të asaj që në çdo teatër quhen lozha, shihnin me dylbitë e mendjes dhe bluanin e komentonin me vete se, çfarë do të kishin bërë e thënë ndryshe, nëse ata do të ishin si dikur, duke luajtur vetë mbi atë skenë.

Megjithatë, shfaqja mbaroi. Perdet u mbyllën. Ndriçimi u ul. Spektatorët, telespektatorët dhe online-spektatorët, u shpërndanë. Salla u zbraz. Më pas, ajo u pastrua dhe “u mbyll”. Jeta pas kësaj, çuditërisht, rifilloi të rridhte njëlloj, si dikur. Pasi liderët u rikthyen në seli, spektatorët në shtëpi dhe protagonistët e dukshëm e të padukshëm, filluan të bënin llogaritë e bilancet. Keni parë ju, dukeshin të gjithë të kënaqur! Edhe ata që ishin në shfaqjen e radhës, së opozitës së radhës pikërisht atje, në bulevardin e përhershëm të protestave, shkuan të qetë të shtunën në shtëpi.

Të nesërmen ishte e diel. Kishin punuar gjashtë ditë. E si Zoti në Bibël pasi krijoi botën, edhe ata ia dhanë vetes pushim të plotë, këtë ditë. Megjithëse bënte pak ftohtë, dielli ishte i shkëlqyer. Ndaj edhe një drekë nga bregdeti apo fshatrat rrotull qyteteve, do i bënte mirë të gjithëve. Jo vetëm ekonomisë së vogël lokale dhe restoranteve e rrjetit të shërbimeve në përgjithësi, por edhe familjeve të tyre. Sepse mund të analizonin të qetë, gjithçka ndodhi.

Bashkë me protestën, u mbyll edhe java e fundit e janarit. Të hënën fillon një javë e re dhe pak ditë më pas, edhe një muaj i ri. Po tani, çfarë do bëjmë? Me se do merremi? Se kjo opozita jonë ka edhe një zakon të keq, me Lulzim Bashën kryetar. Ndryshe nga koha e Sali Berishës që bëheshin përditë, e me raste edhe dy herë në ditë, tani protestat e saj bëhen një a dy herë në vit. Kështu që, deri në protestën e radhës e cila me siguri do jetë ndoshta përpara apo pas pushimeve verore, me se do të merren liderët tanë politikë në opozitë? Po deputetët e tyre? Çdo bëjnë kryetarët e degëve nëpër rrethe, anëtarët dhe simpatizantët e tjerë të cilët, të marrit me këtë sport e kanë ose profesion, ose pasion, ose mënyrë jetese?

Qeveria dhe shumica socialiste në Parlament, duken të qeta dhe të qarta në axhendën e tyre për 2018: Vijon puna për implementimin e reformës në drejtësi; për marrjen e datës së çeljes së negociatave për anëtarësimin në BE; përfundimin e projekteve madhore të infrastrukturës, që kanë qenë në proces gjatë viteve të shkuara; fillimi i investimeve të reja në infrastrukturë, pjesë e paketës “1 miliard dollarë”; përfundimin e rilindjes urbane të qyteteve dhe fillimin e projektit “100 fshatrat”; realizimin e reformave të reja në administratë e territor, etj.

Ajo që duket e paqartë një ditë pas protestës, është opozita. E cila duket se i kishte varur të gjitha shpresat, energjitë pas zgjedhjeve të 25 qershorit, vetëm te 27 janari. Tek ajo që pritej të ndodhte të shtunën e kaluar. Ndaj, duket sikur nuk ka një strategji të qartë, një program të detajuar ose një projekt konkret politik, të shtrirë në kohë dhe hapësirë, sipas një kalendari të caktuar për ta udhëhequr popullin opozitar drejt zgjedhjeve të ardhshme, në mënyrë që ta rikthejë pas 8 vitesh, përsëri në pushtet.

Leximi i protestës ishte i ndryshëm edhe vetë brenda përbrenda, jo vetëm opozitës në tërësi, por edhe partive të saj kryesore, në veçanti.

Për ish-Kryeministrin Berisha, “Rama u tmerrua dhe u zhduk” dhe tani “revolucioni i ri popullor” është i pashmangshëm.

Për Partinë Lëvizja Socialiste për Integrim: “Protesta ishte një fitore kaq e madhe, sa kalon çdo fitore dhe së fundi i Ramës është afër dhe i pashmangshëm”.

Për kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha: “Rezultati i protestës është mesazhi se, shqiptarët refuzojnë këtë qeveri. Është një mesazh që tregon se shqiptarët nuk ulin më kokën, por luftojnë për të fituar ndaj krimit dhe drogës. Fitorja e kësaj beteje, është një ogur i mirë!”

Ndërsa për nr. 2 të LSI, Petrit Vasilin, protesta ishte: Një “hap gjigant që populli e bëri dje, duke e vënë në qoshe të vetmuar dhe të izoluar Kryeministrin Rama dhe bretkocat e tij. Fundi është i pashmangshëm dhe është shumë afër …”

Kaq mjafton për të kuptuar se, përse jo vetëm leximet, por edhe opsionet e tyre politike për të ardhmen, janë të ndryshme. I vetmi që nuk bën parashikime për revolucione të reja dhe rënie të shpejtë e të pashmangshme të qeverisë, është lideri i opozitës vetë. I pari i kësaj pune, e ka cilësuar rezultatin e së shtunës opozitare, si një “ogur i mire” për të ardhmen. Kaq. Gjithsesi, mbetet për t’u parë se, çfarë hapash konkretë do të hedhë ai në të ardhmen e afërt, për të kuptuar se çfarë na pret politikisht, në një të ardhme pak më të largët.

E rëndësishme është që, opozita protestoi. Protestoi paqësisht. U organizua. Bëri një provë të parë, konkrete dhe reale politike në këtë fillim viti të ri kalendarik, që përkon me 6-7 muajt e parë të mandatit të dytë opozitar. Avantazhi aktual është se, deri para protestës, opozita dukej më e përçarë, më e fragmentarizuar, më e copëzuar, me e defaktorizuar. Tashmë, kjo provë kaloi. Sa më e fortë opozita, aq më shumë presion pozitiv e demokratik i bën ajo shumicës, e për rrjedhojë, aq më mirë qeveris ajo. Aq më shumë rritet nëpërmjet kësaj, edhe cilësia e funksionimit demokratik të vendit.

Ndaj, mirëserdhët në vitin e ri politik, 2018! Janari i “peshqve të mëdhenj” kaloi bashkë me protestën. Shkurti dhe marsi kanë qenë gjithnjë muaj shumë interesantë zhvillimesh për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Shkruar posaçërisht për “AFP”

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article SKANDALI/ "I merrnin për tjetër gjë, dhe i çonin prostituta në Spanjë". Zbulohet skema e grupit shqiptar
Previous article Usain Bolt e bën dëshirën realitet, sot zhvilloi seancën e parë stërvitore si futbollist

Redaktor1

Postime të ngjashme

Lamtumirë heroi ynë! OP-ED

Lamtumirë heroi ynë!

Ku dhe përse janë dislokuar ne Europë trupat e SHBA-së? OP-ED

Ku dhe përse janë dislokuar ne Europë trupat e SHBA-së?

A është BE-ja e gashme për zgjerim, apo ka vetëm fjalë? OP-ED

A është BE-ja e gashme për zgjerim, apo ka vetëm fjalë?

Facebook Comments

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të Drejtat e Rezervuara
KONTAKT