Pas 738 ditësh, Hamasi ka liruar 20 pengjet e gjallë izraelite në kuadër të fazës së parë të planit të paqes në Gaza. 7 të parët u liruan në mëngjes, ndërsa 13 të tjerët sapo iu dorëzuan Kryqit të Kuq. Ndërkohë, sa i përket trupave të 28 pengjeve të vdekur pritet të dorëzohen pasdite, sipas Channel 12.
Në Tel Aviv, në Sheshin e Pengjeve, rreth 100 mijë u mbledhën për të festuar lirimin e tyre. Mes brohoritjeve, ata shikuan drejtpërdrejt lirimin në ekranet gjigante të vendosura aty. Përgjatë dy viteve, ky shesh u bë vendi ku izraelitët dhe familjet e pengjeve janë mbledhur për të shprehur ankthin dhe zemërimin e tyre pas rrëmbimit të tyre gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor të vitit 2023.
Kryeministri izraelit, Netanyahu, në fjalën e tij në parlament, e konsideroi Presidentin amerikan Donald Trump si mikun më të madh të Izraelit.
“Emri juaj do mbetet i shkruar në historinë e Izraelit. Asnjë President amerikan nuk ka bërë më shumë për ne”.
Netanyahu u shpreh se beson që lidershipi i Trumpit do ta ndihmojë Izraelin të normalizojë marrëdhëniet me më shumë vende arabe, ndërsa këmbëngul se Izraeli do të mbetet “vigjilent” ndaj kërcënimeve të ardhshme.
Kryeministri Netanyahu e nominoi Presidentin Donald Trump për ‘Çmimin e Izraelit, vlerësimi më i lartë i këtij shtetit.
Kurse Presidenti amerikan Donald Trump, i cili foli gjithashtu në Parlamentin izraelit (Knesset), tha se tashmë ka marrë fund epoka e terrorit dhe nisur epoka e artë dhe e shpresës në Lindjen e Mesme.
“Është një nder i madh, vend i bukur. Ne jemi mbledhur në një ditë gëzimi të thellë dhe shprese të lartë për besim të ripërtërirë dhe mbi të gjitha një ditë për t’i dhënë falenderimet tona më të thella Perëndisë së plotfuqishëm të Abrahamit, Isakut dhe Jakobit. Pas kaq shumë vitesh lufte të pandërprerë dhe rreziku të pafund, sot qielli është i qetë, armët janë të heshtura dhe sirenat janë të palëvizshme. Ky nuk është vetëm fundi i një lufte, ky është fundi i një epoke terrori dhe vdekjeje dhe fillimi i epokës së besimit dhe shpresës, dhe të Perëndisë. Është fillimi i një marrëveshjeje të madhe dhe harmonie të qëndrueshme për Izraelin dhe të gjitha kombet e asaj që së shpejti do të jetë një rajon vërtet madhështor”.
Trump i bëri thirrje Izraelit dhe vendeve të Lindjes së Mesme që të bashkëpunojnë dhe të investojnë në arsim, shëndetësi e industri për të rritur prosperitetin e vendeve të tyre. Në fjalimin e gjatë rreth 60 minuta, Presidenti amerikan përgëzoi të gjithë bashkëpunëtorët e tij që punuan për të arritur marrëveshjen e paqes mes Izraelit dhe Hamasit, si dhe vendet arabe e myslimane që e mbështetën në këtë proces.
Kujtojmë se Presidenti i SHBA, Donald Trump mbërriti në Izrael rreth orës 09:00 të ditës së sotme (13 tetor 2025). Ai zbarkoi nga Air Force One në aeroportin Ben Gurion të Tel Avivit, ku u prit nga Benjamin Netanyahu dhe Presidenti Isaac Herzog.
Ndërsa ecte në tapetin e kuq në aeroport, Trump i tha Herzog dhe Netanyahut: “Është një ditë fantastike. Ndoshta dita juaj më e mirë deri më tani.”
“Kjo është histori,” u përgjigj Netanyahu.
Pasi Hamasi dhe Izraeli ranë dakord për fazën e parë (lirimi i pengjeve dhe shkëmbimi i rreth 2 mijë të burgosurve), qeveria izraelite e miratoi marrëveshjen dhe armëpushimi hyri menjëherë në fuqi. Ndërkohë, negociatat do të vazhdojnë tashmë për fazën e dytë të planit të paraqitur nga Trump.


