Skema piramidale XUEX ka prekur qindra qytetarë në qytetet e Divjakës, Lushnjës dhe rrethinat, duke mashtruar ata me premisa të marramendëse përfitimi monetar.
Sipas detajeve të zbuluara nga dosja hetimore, janë zbuluar më shumë detaje rreth funksionimit të kësaj platforme dhe personave të përfshirë në shpërndarjen e saj. Skema duket se ka përfshirë edhe individë nga nivele të ndryshme të shoqërisë, përfshirë punonjës të administratës lokale dhe qytetarë të zakonshëm, të cilët janë manipuluar për të investuar në platformën mashtruese.
Hetimet kanë treguar se Ereledio Shebeku, një shtetas nga Divjaka, është një nga individët e përfshirë në organizimin e këtij aktiviteti të dyshimtë. Shebeku ka krijuar një grup në aplikacionin “Telegram” për të rekrutuar pjesëmarrës në platformën XUEX. Ky grup përfshin pesë individë, të cilët kanë investuar shuma monetare që variojnë nga 1,000 deri në 5,000 dollarë.
Pjesëmarrësit, përveçse fitojnë nga ky aktivitet, mund të tërheqin investimet e tyre nëpërmjet llogarive bankare dhe platformave të tjera si Binance. Në këtë mënyrë, ata ndihmohen të transferojnë fitimet e krijuara nga XUEX në llogaritë bankare të nivelit të dytë në Shqipëri.
Në qytetin e Divjakës dhe fshatrat përreth, janë regjistruar rreth 580 persona që kanë investuar në këtë platformë. Shumat e investuara variojnë nga 1,000 deri në 5,000 dollarë, dhe fitimet e tyre tërhiqen çdo 45 ditë. Hetuesit kanë zbuluar se individë të ndryshëm, përfshirë familjarë të Shebekut dhe punonjës të Bashkisë Divjakë, kanë investuar në këtë skemë mashtruese.
Për të zbuluar më shumë rreth kësaj skeme dhe për të siguruar prova të mëtejshme, janë realizuar veprime simuluese nga agjentët e policisë. Me datë 30 gusht 2025, agjentët me kodet 27/12 dhe 45 janë takuar me Ereledio Shebekun në barin “Panorama” në Divjakë, ku ai i ka regjistruar në platformën Binance dhe i ka kërkuar të gjejnë një person tjetër për t’i futur në grupet e Telegramit.
Ky veprim ka ardhur pas shqetësimit të Shebekut, i cili, për shkak të mediatizimit të rastit nga deputeti Erion Braçe, ndodhej nën tension dhe frikë sipas dosjes.
Në këtë rast, Shebeku ka depozituar 700 euro në llogarinë e platformës Binance dhe ka thënë se nuk mund të regjistrojë më shumë persona, pasi kishte arritur limitin e pesë individëve që mund të regjistronte. Për këtë arsye, ai ka sugjeruar që një tjetër individ t’i bashkohet grupeve në aplikacionin Telegram.


