Ka nisur në Dhomat e Specializuara në Hagë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku palët mbrojtëse do të paraqesin dëshmitarët e tyre.
Sipas mediave në Kosovë, dëshmitari i parë është James Rubin, ish-zyrtar i lartë amerikan dhe një njohës i zhvillimeve në Kosovë gjatë periudhës së luftës. Dëshmia e tij pritet të hedhë dritë mbi rrethanat politike dhe diplomatike të kohës, dhe të mbështesë argumentet e mbrojtjes.
Rubin ka qenë ndihmëssekretar i Shtetit për Çështje Publike dhe zëdhënës i sekretares së Shtetit, Madeleine Albright dhe i konsideruar si krahu i djathtë i saj. Në vitin 1999, ai është angazhuar si negociator i posaçëm për të siguruar çmobilizimin e UÇK-së. Aktualisht, Rubin shërben si Përfaqësues i Posaçëm dhe Koordinator në Qendrën për Angazhim Global të Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara.
Një ditë më parë, mijëra shqiptarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës u mblodhën në Hagë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së. Ata bënë thirrje për drejtësi dhe i kërkuan gjykatës që t’i lirojë nga burgu. Në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe protestës reagoi edhe kryeministri Edi Rama.
Gjykimi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi vazhdon të zgjasë prej muajsh. Ndaj Thaçit dhe të tjerëve rëndon akuza e krimeve të luftës dhe kundër njerëzimit.
Aktakuza ndaj tyre u bë publike në vjeshtën e vitit 2020, dhe që prej atëherë, ata qëndrojnë në qendrën e paraburgimit në Sheveningen të Hagës. Gjykimi ndaj tyre nisi në prill të vitit 2023.


