Guvernatorja e Rezervës Federale (Fed), Lisa Cook, ka paditur presidentin amerikan, Donald Trump, për vendimin për ta shkarkuar, duke hapur një betejë ligjore me peshë të madhe për tregjet financiare, raporton Financial Times.
Sipas dokumenteve gjyqësore, Cook depozitoi padinë ditën e sotme, 28 gusht 2025, në një gjykatë federale në Uashington. Vendimi i saj erdhi pasi Trump deklaroi të hënën se po e shkarkonte menjëherë, duke e akuzuar për mashtrim në aplikime hipotekare.
Akuzat ndaj Cook u publikuan nga Bill Pulte, drejtor federal i strehimit dhe aleat i Trump. Ai pretendon se Cook kishte paraqitur dokumente të pasakta për dy prona të blera në Michigan dhe Atlanta në vitin 2021, duke i cilësuar të dyja si banesa kryesore për të përfituar kushte më të favorshme kredie. Megjithatë, autoritetet amerikane nuk kanë ngritur asnjë akuzë ndaj saj.
Sipas mediave të huaja, avokati i Cook, Abbe Loëell, deklaroi se Trump nuk ka kompetencë ligjore për ta larguar nga detyra. “Përpjekja e tij për ta shkarkuar, bazuar vetëm në një letër referimi, nuk ka asnjë bazë faktike apo ligjore,” tha Loëell.
Mandati i Lisa Cook si guvernatore i Fed ishte i parashikuar të zgjaste deri në vitin 2038. Nëse Trump do të arrijë të realizojë shkarkimin e saj, ai do të duhet të sigurojë shumicën e emërimeve në bordin shtatë-anëtarësh të Rezervës Federale, organ që luan rol kyç në përcaktimin e normave të interesit dhe mbikëqyrjen e strukturës së bankës qendrore.
Lëvizja e Trump shihet si pjesë e presionit të tij në rritje ndaj bankës qendrore. Ai ka kërkuar uljen e normave të interesit me tre pikë përqindje nga niveli aktual prej 4.25 – 4.5%. Aleatët e tij kanë propozuar gjithashtu reforma për ta bërë më të lehtë shkarkimin e zyrtarëve të Fed dhe për të rritur kontrollin mbi buxhetin e institucionit.


