Francesk Mecaj, i arrestuar për trafik armësh me Italinë, është lënë në burg pa afat. Gjykata e Lezhës e cilësoi të ligjshëm arrestimin e 30-vjeçarit që rezulton me precedent penal në vendin fqinj. Ai u arrestua pak ditë më parë në Malësi të Madhe si personi që kishte futur armë zjarri në një valixhe me qëllim trasportimin e tyre.
Burime bëjnë me dije se indiciet erdhën nga një informacion i mbërritur nga Guardia di Finanza, ku thuhet se është bërë ndalimi i dy shoferëve të autobusit pasi në një valixhe brenda bagazhit të tyre u gjetën armë zjarri dhe municione, ku më pas dy të dyshuarit janë vënë në përgjime.
Nga hetimet ka rezultur se 30-vjeçari me datën 16 korrik kishte telefonuar administratorët e linjës me një numër italian, ku i ka kërkuar trasportin e një valixheje, që sipas tij, kishte ushqime. Takimi është realizuar në Milot, ku fiksohet në pamje 30-vjeçari që e dorëzon së bashku me 50 euro. Po ashtu, rezulton se më tej është dorëzuar në Itali tek një person i huaj.
Operacioni u zhvillua nga DVP Lezhë në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale, DVP Shkodër dhe GdF Italiane, në koordinim me Interpol Tiranën dhe Zyrën e Ekspertit të Sigurisë pranë Ambasadës Italiane në Shqipëri.
“30-vjeçari, me precedentë të theksuar kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike dhe i dënuar dy herë si kreu i një grupi kriminal që vepronte në qytezën e Lecco-s pranë Milanos/Itali, u arrestua si rezultat i operacionit. Në pranga u vunë gjithashtu edhe dy shtetas, drejtues të një mikrobusi për transport udhëtarësh, në bagazhet e të cilit u gjetën armët dhe municioni luftarak. Sekuestrohen 5 armë zjarri automatike të tipit kallashnikov; qindra fishekë luftarakë dhe 4 krehra fishekësh”, bëri me dije Policia.
Sekuestrimi u bë në kufirin mes Sllovenisë dhe Italisë, ku u ndalua mikrobusi i nisur nga Shqipëria me destinacion Italinë, i drejtuar nga të dyshuarit E. M. dhe A. D. Të dy janë shoqëruar nga Policia Italiane për veprime të mëtejshme.
“Hetimet e Policisë së Lezhës bënë të mundur identifikimin e shtetasit F. M., 30 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Hot të Malësisë së Madhe, i cili kishte dërguar armët drejt Italisë kundrejt fitimit financiar. Nga grumbullimi dhe analiza e informacionit, rezultoi se ky shtetas siguronte armë dhe municione luftarake për palë të treta në BE, duke përdorur shoqëri transporti privat dhe duke i kamufluar në valixhe me sende të ndryshme”.
Operacioni vijon në Shqipëri e Itali për identifikimin dhe kapjen e pritësit të armëve, si dhe të personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet.
Materialet procedurale ndaj Mecajt i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprën penale “trafikim i armëve dhe municioneve luftarake”.


