Plazhe me rërë të bardhë, ujëra kristal dhe çmime që mezi i beson – Shqipëria po kthehet me shpejtësi në destinacionin më “hot” për pushime në Evropë, duke u quajtur gjithnjë e më shpesh “Maldivet e Evropës”.
Vetëm pak orë larg Britanisë së Madhe, ky vend i vogël ballkanik po tërheq turistë nga e gjithë bota, falë bukurisë natyrore dhe çmimeve tepër të përballueshme.
Tani, është edhe më e lehtë për të shkuar atje. “Wizz Air” ka nisur fluturime direkte nga Aeroporti Gatwick i Londrës drejt Tiranës, vetëm për 19.99 paund, duke shtuar dhe një itinerar të dytë nga Luton. Fluturimet do të jenë pesë herë në javë, duke filluar nga 26 tetori.
Edhe pse Tirana ofron kulturë, jetë nate dhe histori të pazakontë (përfshirë mbi 173,000 bunkerë!), është Riviera Shqiptare që po magjeps turistët.
Në jug të vendit, qyteti bregdetar i Sarandës dhe fshati piktoresk i Ksamilit ofrojnë pamje që konkurojnë me ishujt më ekzotikë. Në hotelin Lost Seaside, mund të relaksohesh në shezlongje që varen mbi detin e tejdukshëm, ose të kalosh ditën në kasolle mbi ujë – në stilin tipik të Maldiveve.
Për ata që duan luks me buxhet të ulët, Shqipëria është thjesht ideale. Një krikëll birrë kushton vetëm 250 lekë (2.22 paund), ndërsa një gotë verë fillon nga 1.78 paund. Ushqimi? Fantastik dhe i lirë – një darkë me tre pjata për dy persona, vetëm 39.94 paund.
Në Vlorë, koktejet kushtojnë sa një kafe në Londër – vetëm 3.70 paund – ndërsa një drekë me prodhime deti në Ksamil s’kalon 11 paund. Akomodimi përmes Airbnb? Nga 14 deri në 21 paund nata, për person.
Në bregdet, deti ka një ngjyrë që s’e harron lehtë – nuanca bruz, të ngjashme me ato të Korfuzit apo Sardenjës. Por ndryshe nga ato vende të mbipopulluara, këtu mbretëron qetësia. Pa turma, pa çmime marramendëse – vetëm bukuri natyrore dhe mikpritje shqiptare.
“Është një perlë e fshehur, një destinacion që të ofron shumë për pak para”, shkruan një gazetar i “The Sun”, i cili e përshkroi eksperiencën si “pushimet perfekte me diell, det dhe pa stres për portofolin”.


