Presidenti amerikan, Donald Trump ka njoftuar se Bashkimi Evropian dhe Meksika do të përballen me një tarifë prej 30% për importet në SHBA duke filluar nga 1 gushti. Në dy letra të veçanta të publikuara në Truth Social, Trump kërcënoi me tarifa edhe më të larta nëse BE-ja ose Meksika hakmerren kundër taksës së tij të re.
Në letrën e tij drejtuar Meksikës, Trump tha se nuk mendon se vendi kishte bërë mjaftueshëm për të ndaluar që SHBA-të të shndërroheshin në një “fushë lojërash për trafikim narkotikësh”.
Bashkimi Evropian me 27 anëtarë është partneri më i madh tregtar i Shteteve të Bashkuara — importet në SHBA me vlerë 605 miliardë dollarë tejkalojnë Meksikën, Kanadanë dhe madje edhe Kinën. Kategoria më e vlefshme janë ilaçet dhe produktet farmaceutike, të ndjekura nga automobilat, avionët dhe makineri të tjera të rënda.


