Mediat në Kosovë kanë zbardhur Dosjen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vdekjen e Agon Zejnullahut, gjatë ndalimit nga efekitvët e policisë.
Albian Retkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri janë lënë në masën e sigurisë “Arrest me burg”, teksa akuzohen për vrasje nga pakujdesia në Lipjan.
Në dosjen e Prokurorisë, si dëshmitarë që qëlluan në natën kritike në vendin e ngjarjes tregohet se ishin qytetari G.B., prokurori Ardian Emini dhe bashkëshortja e tij, gjyqtarja Elvira Emini. Ata kanë dëshmuar se tani i ndjeri Zejnullahu atë natë kishte shfaqur sjellje të pakontrolluara, kishte ndaluar makina, madje kishte goditur në kokë edhe gjyqtaren Emini.
Sipas Dosjes së Prokurorisë, më 7 korrik në cilësi të dëshmitarit është intervistuar qytetari G.B., i cili ka thënë se rreth orës 00:00 ka qenë në veturën “Golf 7” dhe duke kaluar kishte parë Agon Zejnullahun, i cili ishte afër një makine “Tiguan” dhe dëshironte të hynte brenda. Por sipas dëshmitarit, nga ajo makinë dolën një djalë dhe një grua, të cilët nuk e lejuan të hynte dhe për një moment kishte menduar se po konfliktoheshin.
Dëshmitari G.B., ka thënë se në atë moment e ka ndaluar dhe është afruar tek këta persona, duke dashur t’i ndajë, por se kur ishte afruar e kuptoi se nuk po konfliktoheshin, por shoferi i makinës i tha se Agoni dëshironte të hynte në mjetin e tij.
“Unë e kam marrë Agonin dhe e kam afruar tek vetura ime, ku jam munduar ta qetësoj dhe e kam pyetur se çfarë ka, ndërsa i njëjti vetëm më thoshte ‘largomi se po më ngucin, mos i le me më nguc njerëzit rri me mua’ ku këtë fjalë e ka përsëritur disa herë”, citohet se deklaroi dëshmitari.
Ai ka thënë se gjatë kësaj kohe, i riu dukej i pafuqishëm dhe mezi qëndronte në këmbë dhe njëkohësisht i dilte shkumë nga goja.
“Disa herë jam munduar ta bindë që ta dërgoj tek doktori apo tek shtëpia e tij, mirëpo nuk ka pranuar, më pas aty ka ardhur edhe Prokurori Ardian Emini, i cili ka qenë kalimtar i rastit dhe i njëjti është ndalur vetëm për të shikuar se çfarë është duke ndodhur pasi që njihemi mes vete”, tha G.B.
Sipas tij, 27-vjeçari gjatë gjithë kohës kishte ndjesinë se dikush po e ndiqte dhe në momentin që ndonjë kalimtar i kalonte afër, ai menjëherë shikonte se si të largohej nga aty. Qytetari shton se e bindi të qëndronte me të, duke menduar se do të vijë ndihma e parë dhe do ta qetësonin.
“Pas disa minutave aty ka ardhë një patrullë policore dhe Agoni ka dashur të hyjë në veturë zyrtare, por jo vetëm në këtë, por çdo veturë që ka kaluar Agoni ka dashur të hyjë në veturë dhe në momentin që është afruar afër veturës zyrtare Agoni është rrëzuar në tokë, më pas kur është ngritur është nisur në drejtim të Policisë për të hyrë në veturë mirëpo zyrtarët policorë nuk e kanë ditur për këtë dhe e kanë përdorur sprejin lotsjellës, e më pas Agoni ka hyrë në veturën time”, citohet se deklaroi G.B.
Në dosje thuhet se dëshmitari deklaroi që Zejnullahu i kishte thënë që mos “t’i lejojë ta ngucin”, duke e përsëritur këtë fjalë dhe shikonte rreth makinës nëse ndodhej dikush në të dhe duke menduar vetëm si të dalë për t’u larguar.
“Gjatë qëndrimit në veturë prapë ka pasur shkumë në gojë të cilën e fshinte me bluzë tek kraharori herë pas here”, thuhet se deklaroi G.B.
Ai po ashtu ka thënë se Agoni disa herë kishte tentuar të dalë nga makina por qytetari e ndaloi, duke u munduar ta qetësonte sepse e kishte parë se diçka nuk ishte në rregull dhe se në këtë gjendje e kishte parë për herë të parë.


