Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka dhënë vendimet përfundimtare për pjesëtarët e grupit kriminal të drejtuar nga Gjergj Cukali, i akuzuar për tentativën e vrasjes së biznesmenit Gjon Mena në Kamëz përmes vendosjes së një eksplozivi në automjetin e tij.
Apeli ka zbutur disa prej dënimeve fillestare. Enver Jamaku, i cili është penduar i drejtësisë, përfitoi nga bashkëpunimi dhe dënimi i tij u ul. Ndërkohë, për Ermond Jamakun, dënimi me 8 vite burg mbeti i pandryshuar.
Blendi Deda përfitoi ulje dënimi nga 20 në 18 vite heqje lirie, ndërsa për P. Prengën dhe F. Abazin, dënimet prej 18 vitesh secili u konfirmuan nga Apeli.
Gjergj Cukali, i konsideruar si organizatori i këtij atentati, do të vuajë 25 vite burg, dënim që mbetet i pandryshuar. Tentativa për të eliminuar biznesmenin Mena me lëndë plasëse është cilësuar si një nga ngjarjet më të rënda kriminale të viteve të fundit.


