Nga raketat balistike të lëshuara nga Irani u godit edhe një spital në qytetin jugor izraelit të Be’er-Sheva. Zëdhënësja e Qendrës Mjekësore Soroka deklaroi se po vlerësojnë shkallën e dëmeve dhe numrin e të plagosurve.
Ndërkohë, pas goditjes nga raketa, spitali është evakuuar pasi dyshohet për një rrjedhje substancash të rrezikshme në katin e sipërm të ndërtesës dhe policia ka filluar evakuimin dhe largimin e njerëzve nga zona.
Ministri izraelit i Shëndetësisë, Uriel Buso, e denoncoi sulmin e drejtpërdrejtë të Teheranit ndaj Spitalit Soroka në Beersheba si kalim të një “vije të kuqe dhe krim lufte”.
“Një akt terrori dhe kalim i një vije të kuqe. Një krim lufte i kryer qëllimisht nga regjimi iranian kundër civilëve të pafajshëm dhe personelit mjekësor të angazhuar në shpëtimin e jetëve njerëzore”, tha ministri.


