Detaje të reja dalin në dritë lidhur me ngjarjen e rëndë që tronditi Italinë, ku shqiptarja Gentiana Hudhra u vra nga ish-bashkëshorti i saj, Nikollaq Hudhra.
Mësohet se Gentiana në vitin 2021 kishte denoncuar ish-burrin e saj, Nikollaq Hudhrën, 55 vjeç, për dy episode dhune gjatë bashkëjetesës së tyre. Megjithatë, prokuroria e Maceratas në dhjetor të atij viti kërkoi dhe mori mbylljen e hetimeve për këtë rast. Në janar të vitit 2022, pas 20 vitesh martesë, u formalizua ndarja e çiftit, të martuar që nga 8 janari 2002.
Avokati që e mbrojti Gentianën në atë periudhë, Guglielmo De Luca, tha për mediat se Nikollaq Hudhra kishte idenë e fiksuar se ajo e helmonte, madje në shtëpi kishte vendosur një zinxhir në frigorifer.
“Ai kishte idenë e fiksuar se ajo e helmonte. Në shtëpi kishte vendosur një zinxhir në frigorifer. Para ndarjes kishte ndryshuar bravën e derës për ta mbajtur larg. Më pas, falë dy kërkesave, i lejoi të kthehej, por e detyronte të flinte në një dhomë të vogël në një divan. I thashë të largohej nga ai burrë, por ajo priti për shkak të shqetësimit për fëmijët”, ka treguar avokati i saj.
Edhe vëllai i Gentianës, Artur Kopili, i cili mbërriti nga Shqipëria në Tolentino pas vrasjes së të motrës, foli për marrëdhënien e motrës me ish-burrin, ku tha se i dinin shqetësimet mes tyre.


