Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha priti në një takim Ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës në Tiranë, Gabriel Cremades Ventura me të cilin bisedoi rreth thellimit të bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë dhe çështjeve të brendshme.
Ministri Hoxha vuri në dukje kontributet e Spanjës në rritjen e kapaciteteve të Policisë së Shtetit dhe Institutit të Policisë Shkencore.
“Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Spanjës janë të konsoliduara dhe ndërtohen mbi vlera të përbashkëta, me fokus forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe pastrimit të parave”, shkruan ministri në rrjete sociale pas bisedës.
Në takim u vlerësua intensiteti i shkëmbimit të informacionit, hetimet dhe operacionet e përbashkëta mes strukturave përkatëse të dy vendeve.


