Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Aivo Orav, deklaroi të mërkurën se shpreson se Kosova do ta formojë sa më shpejt qeverinë e re, me të cilën blloku evropian mund të punojë për rrugën e vendit drejt integrimit evropian.
Duke folur në konferencë në Prishtinë, e titulluar “Kosova drejt Bashkimit Evropian: Rruga drejt një zgjidhjeje”, Orav tha se Kosova mund të bëjë gjëra të cilat e çojnë vendin drejt Bashkimit Evropian.
Kosova aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 15 dhjetor të vitit 2022, por kërkesa e saj nuk është shqyrtuar ende, dhe si rrjedhojë ajo është vendi i vetëm në Ballkan që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat.
Kosova po dështon t’i formojë institucionet e reja, pavarësisht se kanë kaluar më shumë se tre muaj nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Ngërçi politik vjen pasi asnjë pari nuk e fitoi shumicën për të qeverisur e vetme dhe nga mungesa e vullnetit nga partitë politike për krijimin e ndonjë koalicioni qeverisës.
“Një temë për të cilën të gjithë flasin, por që nuk është aq e preferuar për t’u përmendur nga politikanët këtu në Kosovë, është Asociacioni i Komunave me shumicë serbe. Duhet të bëhet dhe është më mirë të bëhet më herët sesa më vonë, për të ecur përpara. Mesazhi im është se ne në BE jemi të gatshëm të ecim përpara dhe shpresojmë shumë që edhe Kosova do të bëjë të njëjtën gjë”, tha ai.Në tetor të vitit 2023, të dërguarit e atëhershëm të BE-së, SHBA-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë, ia ofruan Kosovës dhe Serbisë një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por Kosova nuk ka pranuar ta themelojë atë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha më 21 mars se draft-statuti i Asociacionit i hartuar nga BE-ja nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe se këtë ia ka thënë edhe Sorensenit gjatë vizitës së tij në Prishtinë më 17 mars./ REL


