Ish-ministri Ilir Beqaj ka kërkuar në sallën e gjyqit pushimin e menjëhershëm të çështjes penale ndaj tij dhe shpalljen e pavlefshmërisë së vendimit të gjyqtares paraprake Enkeleda Davidhi.
“Unë duhet të mbrohem për vjedhje dhe ndërkohë nuk ka asnjë shifër. Si mund të ngrihet një akuzë për dëm ekonomik pa asnjë provë financiare?”, u shpreh ai.
Ai kujtoi se çështja për të cilën po gjykohet është hetuar më parë dhe është mbyllur nga prokuroria.
“Kjo çështje është gjë e gjykuar. Në vitin 2016, prokurori Endrit Bimi vendosi pushimin e saj. Ky procedim nuk duhej të niste fare.”-tha Beqaj.
Nga ana tjetër Beqaj kundërshtoi gjithashtu mënyrën se si emërtohet dosja.
“Çfarë është ky emërtim ‘Ilir Beqaj dhe të tjerët’? Këta ‘të tjerët’ i bie sikur janë këtu prej meje. Kjo është tendencioze.”-tha Beqaj.
Më tej, ai vuri në pikëpyetje logjikën e përdorur nga gjykata në arsyetimin paraprak të vendimit.
“Sipas gjyqtares Davidhi, unë jam ‘koka e krimit’ sepse jam informatician. Nuk e kuptoj se ç’lidhje ka kjo me çështjen.”-tha Beqaj.
Në përfundim, Beqaj i kërkoi trupës gjykuese që të shqyrtojë menjëherë ligjshmërinë e procesit dhe të deklarojë të pavlefshëm vendimin e gjykatës paraprake.
“Kërkoj ta pushoni menjëherë çështjen dhe pavlefshmërinë e vendimit të gjyqtares Davidhi.”-është shprehur Beqaj.
Ish-ministri, Ilir Beqaj është i pandehur për dosjen e koncesionit të sterilizimit, ndërsa më 18 mars iu komunikua edhe akuza shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim. Ndaj Beqajt rëndojnë akuzat “Shpërdorim detyre”, e kryer në bashkëpunim. Hetimi SPAK është kryer për koncesionin “shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, në kohën kur Beqaj drejtonte ministrinë e Shëndetësis. Për sterilizimin janë marrë të pandehur edhe 8 të tjerë, mes tyre ish-zv-ministri Klodian Rrjepaj dhe përfituesi i Koncesionit Ilir Rrapaj të dy në pranga që prej gushtit të vitit të kaluar. Në gjykim do të shkojnë edhe 6 ish-zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të koncesionit të sterilizimit.


