Një aksident i rëndë ka ndodhur në Itali mbrëmjen e kaluar ku si pasojë ka humbur jetën një shqiptar.
Viktima, i indentifikuar si Artur Çela, ndodhej vetëm rreth 100 metra larg shtëpisë së tij pasi kishte shkuar të blinte peshk për darkë. I ndjeri ishte i njohur për mirësjelljen dhe përkushtimin e tij ndaj punës dhe në shtëpi po e priste gruaja e tij Suzana dhe dy fëmijët, Eni dhe Martina.Ai ndodhej vetëm njëqind metra larg shtëpisë kur motoçikleta e tij u përplas me një “Fiat 500” që po dilte nga një rrugë anësore për të hyrë në rrugicën aty pranë. Dinamika dhe shkaqet e këtij aksidenti fatal po shqyrtohet nga Karabinierët e Portogruaro-s, të cilët po rindërtojnë incidentin përmes anketave teknike dhe dëshmive.
Përplasja ishte tepër e rëndë pasi motoçikleta u shkatërrua dhe i ndjeri u hodh në asfalt duke goditur me forcë disa shtylla hekuri që kufizonin kalimin e biçikletave dhe këmbësorëve. Shërbimet e emergjencës mbërritën menjëherë, së bashku me zjarrfikësit dhe policinë por kaska kishte fluturuar dhe trupi ishte pa jetë në mes të rrugës.
Disa minuta më vonë, tragjedia pati një tjetër moment prekës ku gruaja dhe fëmijët mbërritën në vendngjarje dhe u bënë të vetëdijshëm për atë që kishte ndodhur. Një skenë dëshpërimi që i preku thellë të pranishmit.


