Në arkën e thesarit të patriotizmit rus, i është lënë vend edhe Amerikës. Në Parkun e Fitores, në muzeun e madh kushtuar Luftës së Madhe Patriotike, një ekspozitë e vogël me titullin “Takimi në Elbë” u hap një ditë para vizitës së tretë të Steve Witkoff në Moskë. Dy vitrina ekspozuese, disa fotografi dhe disa relike të periudhës, të vendosura në një cep të atriumit, që ilustrojnë takimin historik në lumin gjerman mes ushtarëve sovjetikë dhe atyre amerikanë, i cili ndodhi më 25 prill 1945, duket se synojnë t’u atribuojnë edhe këtyre të fundit një rol në fitoren kundër nazifashizmit.
Në prag të festimeve të tetëdhjetëvjetorit, ky homazh i paprecedentë nga një komb tejet xheloz për të kaluarën e vet tregon për një përpjekje të qartë për të rikrijuar narrativën e një miqësie me Shtetet e Bashkuara, të cilat për njëzet vitet e fundit ishin paraqitur si armiku i madh i nënës Rusi. “Sapo mbërritëm bashkë në sheshin e fshatit Torgau, u përqafuam me njëri-tjetrin në një mënyrë aq vëllazërore saqë qëndruam pa përkthyes”, shkruan togeri Mikhail Cizhikov në një letër.


