Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është ndalur te një tjetër hapësirë e kryeqytetit e transformuar gjatë 10 viteve të fundit. Përmes një mesazhi në rrjete sociale Veliaj thotë se parku i Liqenit të Farkës, nga një zonë e zaptuar dhe e mbushur me plehra është shndërruar në një hapësirë të rëndësishme për qytetarët. Ai nënvizon se bashkia gjatë qeverisjes së tij ka pasur një fokus të rëndësishëm në përmirësimin e hapësirave publike dhe ndërtimin e parqeve të reja në kryeqytet.
Postimi i plotë i Erion Veliajt:
Kur morëm detyrën 10 vjet më parë, në Tiranë gjetëm një gjysmë parku te Liqeni Artificial.
Them ‘gjysmë’ sepse e mbani mend se si ishte zaptuar me ndërtime pa leje, plehra, e ç’nuk të shihte syri. Në pak kohë jo vetëm e pastruam, por edhe e dyfishuam si hapësirë për qytetarët. Sot ai park është historia tjetër e suksesit e punës sonë, që vizitohet nga mijëra fëmijë, prindër, gjyshër e turistë të huaj.
E prapë, e pamë të nevojshme se duhet të bënim më shumë, se na duhej edhe një park tjetër i madh, një mushkëri e dytë për qytetin, me të njëjtat hapësira çlodhëse e rikrijuese, me korsi biçikletash dhe pistë vrapi. Ndaj, pas Parkut të Madh të Liqenit vëmendjen e kaluam me Liqeni i Farkës, aty ku kemi krijuar një tjetër oaz për të kaluar fundjavën apo pasditet, ku kemi mbjellë pemë, organizojmë ngjarje sportive si Triathlona, apo ku kemi ndërtuar pedonalen, kënde lojërash etj.E di që në Tiranën me 1 milionë banorë ka edhe nga ata që nuk i shohin këto, as pemët e mbjella, as vlerën e pronës së rritur falë investimeve tona, por progresi vjen vetëm me punë dhe Liqeni i Farkës do të jetë aty si provë e transformimit të jashtëzakonshëm.


