Vettingu nxjerr përfundimisht nga sistemi i drejtësisë prokurorin Arjan Ndoja, i cili sot kandidon si deputet për Partinë Demokratike në qarkun e Durrësit, në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Vendimi është shpallur ditën e sotme (22 prill) nga KPA-ja, e cila i ka ndërprerë procesin e rivlerësimit për të, duke sjellë automatikisht edhe nxjerrjen e tij nga sistemi për 15 vitet e ardhshme.
Ndoja kishte hequr dorë nga ankimimi për vendimin e shkarkimit, (pasi po kandidon për Sali Berishën në Durrës), që kishte dhënë shkalla e parë e KPK-së dhe në këto rrethana KPA ka ndërprerë procesin, duke ia ndaluar atij në të ardhmen emërimin si prokuror e gjyqtar në çdo nivel në të ardhmen.
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, ishte i përbërë nga Natasha Mulaj si kryesuese, Sokol Çomo relator, Albana Shtylla, Ina Rama, Mimoza Tasi anëtare.
“Trupa gjykuese shpalli vendimin për çështjen nr. 32/2022, datë 14.07.2022, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Arian Ndoja kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 528, datë 06.05.2022.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin G të Aneksit të Kushtetutës dhe në ligjin 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
1. Nderprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar për subjektin e rivlerësimit z.Arian Ndoja.
2. Ndalimin e emërimit të z. Arian Ndoja gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.
· Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm”, thuhet në vendimin e KPA-së.
Ndoja ra pre e një atentati edhe më 1 nëntor 2019 në Durrës, teksa udhëtonte në makinë edhe me një eksponent të krimit të organizuar, “Rrumi i Shijakut”, Aleksandër Laho.
Të dy mbetën të plagosur nga plumbat, teksa fatkeqësisht humbi jetën shoferi i ish-prokurorit, Andi Maloku. Për ngjarjen Prokuroria dhe Policia kanë identifikuar dhe hetuar një grup kriminal të dyshuar, teksa gjyqi dhe hetimet janë në proces.