Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi elektoral në Berat, ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për mashtrim dhe braktisje të qytetit të Beratit. Në një fjalim para qytetarëve, Berisha tha se gjatë 12 viteve të fundit, qyteti është përballur me varfërim dhe harresë nga qeveria, duke theksuar mbylljen e universitetit lokal si simbol i një politike shkatërruese.
Ai risolli në vëmendje edhe një nga premtimet e pambajtura të qeverisë, atë për transformimin e ishullit të Osumit, duke thënë se “premtimin e ishullit e mori lumi, ndërsa Edi Ramës i ngeli vetëm turpi dhe mashtrimi”.
Berisha theksoi rëndësinë historike dhe kulturore të Beratit, duke e quajtur atë “diamant në kurorën e trashëgimisë botërore” dhe tha se më 11 maj shqiptarët kanë mundësinë të ndajnë epokën e narko-diktaturës dhe të sjellin ndryshimin. Ai u bëri thirrje qytetarëve të votojnë për PD-në për t’i dhënë fund, sipas tij, një periudhe keqqeverisjeje dhe shkatërrimi kombëtar.


