Zbardhet dinamika e konfliktit të ndodhur mbrëmjen e kaluar në rrugën “Sami Frashëri”, ku disa shtetas morën pjesë në një përleshje. Policia ka identifikuar një 40-vjeçar që ka goditur një person me qytën e një arme zjarri gjatë një konflikti që ka ndodhur në një lokal, për motive të dobëta, dhe ka nisur punën për kapjen e tij.
Nga hetimet ka rezultuar se një 51-vjeçar ka qëlluar një herë me armë zjarri në vendngjarje, por nuk ka pasur të lënduar nga plumbat e dalë nga arma. Policia ka arrestuar 8 shtetas që kanë marrë pjesë në këtë konflikt, përfshirë 40-vjeçarin që ka pësuar dëmtime të lehta.
Gjatë kontrollit të vendit të ngjarjes, është gjetur arma e zjarrit pistoletë, e cila është sekuestruar bashkë me celularët e të arrestuarve dhe provat e tjera që do të shërbejnë në hetim.
Pasi është njoftuar për një përleshje mes disa shtetasve në një lokal në rrugën “Sami Frashëri”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve të Rënda, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje për të identifikuar dhe kapur përgjegjësit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, u zbardh dinamika e rastit dhe u morën veprimet e mëposhtme: U identifikua dhe shpall në kërkim shtetasi A. Sh., 51 vjeç, banues në Fier, i cili dyshohet se ka goditur me qytën e armës një 40-vjeçar, Kasem Stani (Pasha), që u dëmtua lehtë. Gjithashtu, rezultoi se 51-vjeçari ka qëlluar një herë me armën në vendngjarje, por nga kjo e shtëna nuk ka pasur të lënduar. U identifikuan dhe u arrestuan 8 shtetasit që morën pjesë në konflikt: Kasem Stani (Pasha), 40 vjeç, Emiljan Ruko, 43 vjeç, Eriald Tahiraj, 39 vjeç, Bjorni Tahiraj, 24 vjeç, Denikajder Tahiraj, 35 vjeç, Eduart Sulaj, 30 vjeç, Kastriot Stani, 47 vjeç dhe Elton Ajredinaj, 53 vjeç, të cilët akuzohen për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.


