Negociatorët iranianë dhe amerikanë janë pajtuar për një raund të dytë bisedimesh të nivelit të lartë mbi programet bërthamore të Teheranit javën e ardhshme, pas një takimi më 12 prill që zgjati më shumë se dy orë, i cili u cilësua nga të dyja palët si “pozitiv” dhe “konstruktiv”.
“Bisedimet ishin shumë pozitive dhe konstruktive”, tha Shtëpia e Bardhë pas takimit në kryeqytetin e Omanit, Muskat.
I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steven Witkoff, theksoi se kishte marrë udhëzime nga presidenti Trump për t’i zgjidhur dallimet mes dy kombeve përmes dialogut dhe diplomacisë.
Këto çështje janë shumë të ndërlikuara, dhe komunikimi i drejtpërdrejtë i të dërguarit të posaçëm Witkoff sot ishte një hap përpara drejt arritjes së një rezultati të dobishëm për të dyja palët”, tha Shtëpia e Bardhë.
Delegacioni iranian u udhëhoq nga ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, i cili gjithashtu tha se palët do të takohen sërish fundjavën e ardhshme.
Bisedimet shënojnë një kapitull tjetër në marrëdhëniet e tensionuara mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, të karakterizuara nga cikle diplomacie dhe konfrontimi.


