Prokurorët që e kanë hetuar dhe akuzuar, ai i quan «plehra, gjyqtarë të korruptuar». Gjyqtarët që kanë ndjekur çështjet kundër tij i përshkruan si të çekuilibruar. Dhe në fund, i cilëson njerëz të ligj që meritojnë burgun. Ata që vazhdojnë të minimizojnë ashpërsinë e lëvizjeve autoritare të Donald Trump, vullnetin e tij për të kapërcyer kufijtë kushtetues të ekzekutivit dhe për të ndërhyrë jo vetëm në pushtetin legjislativ të Kongresit, por edhe në atë gjyqësor, tashmë e kanë të qartë situatën.
A janë të pabaza frikërat për hakmarrjet e presidentit ndaj kundërshtarëve të tij politikë? A janë qesharake arsyet që dha Biden kur fali me dekret disa persona që mund të ishin shënjestra të hakmarrjeve të liderit republikan? A është e tepruar frika se Departamenti i Drejtësisë, i cili tradicionalisht ka pasur njëfarë autonomie nga Shtëpia e Bardhë, do të vihej nën kontrollin e presidentit, pavarësisht se ministrja përkatëse, Pam Bondi, premtoi para Senatit se do të vepronte në mënyrë të pavarur?
Trump i hodhi poshtë të gjitha këto shqetësime, duke shkuar vetë në selinë e Departamentit të Drejtësisë dhe duke mbajtur një fjalim të ashpër para drejtuesve të tij, të cilët i ftoi të veprojnë kundër kundërshtarëve të tij, duke i quajtur të gjithë “shkelës të ligjit”. Duke folur me stemën e Departamentit të Drejtësisë pas shpinës dhe i prezantuar nga vetë ministrja Bondi – një mbështetëse e tij e fortë dhe ish-avokatja e tij personale – e cila, duke ia kaluar fjalën, tha se ishte plotësisht e angazhuar për të realizuar misionin e presidentit, Trump deklaroi se kundër tij ishin kryer “shkelje ligjore në një shkallë kolosale”. Më pas, dha versionin e tij për autonominë: “Nuk do të jem unë ai që do të veprojë kundër armiqve, kjo është detyra juaj.”
Një ndërhyrje e tillë e drejtpërdrejtë e presidentit në Departamentin e Drejtësisë është pa precedent. Ky është një nga tiparet e Trump: kur hedh gurin, nuk fsheh dorën, por mburret që ka thyer xhamin. Ai i tregon qartë objektivat e tij, edhe kur ato janë ekstremisht të rrezikshme. Por për shkak se një pjesë e madhe e Amerikës e sheh si një figurë karizmatike dhe i beson verbërisht, edhe deklarata të habitshme në nivel institucional, si “Unë jam kreu absolut i sistemit të zbatimit të ligjit në këtë vend”, pranohen si të vërteta. Trump, i mësuar gjithmonë të turbullojë ujërat duke i hedhur kundërshtarëve të tij të njëjtat akuza që i drejtohen atij, nuk e humbi këtë mundësi as këtë herë: ndërsa gjithnjë e më shumë gjykata po bllokojnë urdhrat e tij ekzekutivë, të cilët duken të paligjshëm, dhe ndërsa një gjyqtare e Gjykatës së Lartë e emëruar prej tij hodhi poshtë disa masa të tij si të paligjshme, Trump akuzoi të gjithë kundërshtarët e tij se ishin ata që vepronin jashtë ligjit.
Ai nuk ka në shënjestër vetëm kundërshtarët politikë dhe gjyqtarët që e kanë hetuar. Siç u raportua dy ditë më parë, tani Trump po sulmon dhe frikëson edhe avokatët që ngrenë çështje kundër tij në gjykata: ai ka lëshuar urdhra ekzekutivë për të ndëshkuar rëndë dy firma të mëdha ligjore që në të kaluarën kanë punuar për Hillary Clinton, për prokurorin Jack Smith dhe për disa figura të njohura të Partisë Demokratike. Një paralajmërim për të gjithë të tjerët.


