Vrasja e 24-vjeçares palestineze në Tiranë ka shtuar misteret për grupin hetimor, pasi dyshohet se identitetet e të dyshuarve mund të jenë të falsifikuara. Më 19 shkurt, Fati dhe Rayyan Alwan hynë në Shqipëri si turistë, duke u prezantuar me dokumente greke në Rinas.
Hetuesit kanë ngritur dyshime se këto dokumente mund të jenë të falsifikuara dhe identitetet e tyre nuk janë të vërteta. Për këtë arsye, autoritetet shqiptare kanë kërkuar informacion nga homologët gjermanë, vend ku çifti jetonte, për të sqaruar lidhjet familjare dhe motivet e krimit.
Nëse konfirmohet se 49-vjeçari është babai i 24-vjeçares, kjo do të ndryshonte rrjedhën e hetimit dhe do të ndikonte në përcaktimin e motiveve të krimit. Trupi i pajetë i Rayyan Alwan u gjet më 27 shkurt në banesën që kishin marrë me qira në Tiranë.
Hetimet dyshojnë se krimi ka ndodhur ndërmjet 19 dhe 22 shkurt, kur 49-vjeçari është larguar nga Shqipëria në drejtim të Greqisë dhe më pas në Holandë. Autoritetet shqiptare kanë kërkuar ndihmën e policive europiane për gjetjen dhe arrestimin e tij.


